





























Hadeeth Cards
Da'wa cards that highlight great meanings from the noble prophetic hadiths in a simple style and attractive display that helps the Muslim to have a deeper understanding of his religion in an easy way
All
Muadh ibën Xhebeli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Isha me Profetin ﷺ gjatë një udhëtimi dhe një mëngjes isha afër tij teksa po ecnim, kështu që i thashë: “O i Dërguari i Allahut! Më trego një punë që më çon në Xhenet dhe më largon nga Zjarri!” Ai tha: "Vërtet më ke pyetur për një çështje të madhe, që është e lehtë për atë të cilit Allahu ia lehtëson: ta adhurosh Allahun pa i shoqëruar asgjë në adhurim, ta falësh namazin, ta japësh zekatin, ta agjërosh Ramazanin dhe ta kryesh haxhillëkun." Pastaj tha: "A dëshiron të të udhëzoj drejt dyerve të mirësisë?! Agjërimi është mburojë, lëmosha i shlyen mëkatet siç e shuan uji zjarrin dhe namazi i njeriut në thellësinë e natës." Pastai lexoi: "Ata ngrihen nga shtrati...", derisa arriti te: "... që kanë bërë." (Kuran 32:16-17) Më pas tha: "A të të tregoj për kreun, shtyllën dhe kulmin e çështjes?" Thashë: “Patjetër, o i Dërguari i Allahut.” Ai tha: "Kreu i çështjes është Islami, shtylla e saj është namazi, kurse kulmi është xhihadi." Më tej shtoi: "A dëshiron të të tregoj për boshtin e të gjitha këtyre?" Unë thashë: “Patjetër, o i Dërguari i Allahut.” Ai e kapi gjuhën e vet dhe tha: "Ruaje këtë!" I thashë: “O i Dërguari i Allahut, a edhe për atë që themi do të merremi në llogari?!” Ai më tha: "Mos të pastë nëna, o Muadh! S’e ditke se njerëzit do të hidhen me fytyrë (në Zjarr) vetëm për shkak të asaj që korrin me gjuhët e tyre?!"
Transmetojnë Tirmidhiu, Ibn Maxhe dhe AhmediMuadhi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Isha me Profetin ﷺ gjatë një udhëtimi dhe një mëngjes isha afër tij teksa po ecnim, kështu që i thashë: “O i Dërguari i Allahut! Më trego një punë që më çon në Xhenet dhe më largon nga Zjarri!” Në atë rast Pejgamberi i tha: "Më ke pyetur për një vepër, veprimi i së cilës është i rëndë për shpirtrat, por ajo është e lehtë dhe e thjeshtë për atë që Allahu ia lehtëson; kryeji obligimet e Islamit!" E para: ta adhurosh Allahun dhe të mos i shoqërosh asgjë në adhurim. E dyta: t'i falësh pesë namazet farz (të detyrueshme) gjatë ditës e natës: sabahun, drekën, ikindinë, akshamin dhe jacinë, të cilat duhet të falen sipas kushteve, shtyllave dhe obligimeve të tyre. E treta: të japësh zekatin e detyrueshëm, që është një adhurim i detyrueshëm financiar për çdo pasuri që arrin një shumë të caktuar sipas ligjit islam, e cila u jepet atyre që e meritojnë. E katërta: të agjërosh muajin e Ramazanit, i cili nënkupton vetëpërmbajtjen nga ushqimi, pija dhe gjërat e tjera që e prishin agjërimin, me qëllim adhurimi, nga agimi deri në perëndim të diellit. E pesta: të kryesh haxhillëkun (pelegrinazhin) në Shtëpinë e Shenjtë duke pasur si qëllim udhëtimin drejt Mekës për kryerjen e riteve të haxhit, në formë adhurimi ndaj Allahut të Lartësuar. Pastaj Profeti ﷺ tha: "A të të tregoj për rrugën që të çon te dyert e mirësive? Obligimet fetare t'i shoqërosh me vepra vullnetare (nafile): Së pari: Agjërimi vullnetar, i cili është një pengesë për rënien në gjynahe, duke e thyer epshin dhe duke dobësuar forcën (që çon në gjynahe). Së dyti: Lëmosha vullnetare e cila shuan mëkatin pas kryerjes së tij, e largon atë dhe fshin gjurmën e tij. Së treti: namazi i natës në një të tretën e fundit të natës. Pastaj Profeti ﷺ e lexoi fjalën e Allahut të Lartësuar: "Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre (me namaz, dhikër lexim të Kuranit dhe lutje) me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne. Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ta (në jetën tjetër dhe në Xhenet), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë." Pastaj Profeti ﷺ tha: A të tregoj për bazën e fesë, shtyllën në të cilën mbështetet dhe kulmin e saj? Muadhi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i tha: "Patjetër, o i Dërguari i Allahut." Profeti ﷺ tha: "Kreu i çështjes është Islami, i cili përfshin dy dëshmitë (dy shehadetet), me të cilat njeriu fiton bazën e fesë." Shtylla e Islamit është namazi, pasi nuk ka Islam pa namaz, ashtu siç nuk mund të ketë shtëpi pa shtylla. Atij që falet, i forcohet dhe i lartësohet fetaria. Lartësimi i fesë arrihet përmes xhihadit, duke dhënë mund në luftën kundër armiqve të fesë për të lartësuar fjalën e Allahut. Pastaj Profeti ﷺ tha: "A dëshiron të të tregoj për mënyrën më të saktë dhe më të përkryer për atë që thamë?" E kapi gjuhën e tij (me dorë) dhe tha: "Ndaloje këtë dhe mos fol për atë që nuk të përket!" Muadhi tha: "A do të na ndëshkojë dhe do të na marrë në llogari Zoti ynë për gjithçka që flasim?!" Profeti ﷺ tha: "Mos të pastë nëna!" Këtu nuk është qëllimi të bëhet lutje kundër tij, por kjo është një shprehje arabe që shërben për të tërhequr vëmendjen ndaj një çështjeje që duhet ta kishte kuptuar dhe ditur. Pastaj Profeti ﷺ tha: “A ka diçka tjetër që i hedh njerëzit dhe i rrëzon me fytyrë në Zjarr, përveçse të korrat e gjuhëve të tyre" si: kufri, akuza e rrejshme, fyerja, përgojimi, bartja e fjalëve, shpifja dhe gjëra të tjera të ngjashme me to.
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “O ju njerëz, Allahu është i mirë dhe pranon vetëm të mirën. Allahu i urdhëroi besimtarët për atë që i urdhëroi pejgamberët, duke u thënë: "O të dërguar! Hani nga të mirat dhe punoni vepra të mira! Unë me të vërtetë, e di mirë çka punoni ju!" (El Muminun, 51) Po ashtu ka thënë: "O besimtarë! Hani nga ushqimet e këndshme që jua kemi dhuruar." (El Bekare, 172) Pastaj e përmendi njeriun, i cili është në udhëtim të gjatë, me flokë të shprishur e i pluhurosur, i ngre duart nga qielli: "O Zot! O Zot!" Mirëpo, ushqimin e ka haram, pijen e ka haram, veshjen e ka haram, është ushqyer me haram, e si t'i përgjigjet atij?!”
Transmeton MuslimiProfeti ﷺ në këtë hadith ka treguar se Allahu është i pastër dhe i shenjtë, i paprekshëm nga mangësitë dhe të metat dhe se Ai posedon cilësitë e përsosura. Ai pranon vetëm veprat, fjalët dhe bindjet që janë të pastra, respektivisht që janë të sinqerta për Allahun dhe në përputhje me udhëzimin e Profetit ﷺ. Nuk duhet të afrohemi tek Allahu me diçka tjetër përveç kësaj. Ndër gjërat më të rëndësishme që e bëjnë veprën e një besimtari të mirë është ushqimi i tij i pastër dhe hallall. Kjo bën që vepra e tij të jetë e pranuar. Për këtë arsye, Allahu i ka urdhëruar besimtarët me të njëjtën gjë që ka urdhëruar të dërguarit: për të ngrënë hallall dhe për të bërë vepra të mira. Ai ka thënë: "O të dërguar! Hani nga të mirat dhe punoni vepra të mira! Unë me të vërtetë, e di mirë çka punoni ju!" (El Muminun, 51) Po ashtu ka thënë: "O besimtarë! Hani nga ushqimet e këndshme që jua kemi dhuruar." (El Bekare, 172) Pastaj, Profeti ﷺ paralajmëroi kundër ngrënies së haramit, e cila e prish veprën dhe pengon pranimin e saj, sado që të përpiqet njeriu të plotësojë shkaqet e dukshme për pranimin e veprës, siç janë: Së pari: udhëtimi i gjatë për akte adhurimi, si: haxhillëku, xhihadi, mbajtja e lidhjeve farefisnore dhe të tjera të ngjashme. Së dyti: flokët e shprishur nga moskrehja, ndryshimi i ngjyrës së tij dhe i rrobave të tij nga pluhuri, pra, ai gjendet në një situatë të rënduar dhe të mjeruar. Së treti: ngre duart drejt qiellit duke bërë lutje. Së katërti: i drejtohet Allahut duke e lutur përmes emrave të Tij dhe ngulmon në këtë: “O Zot! O Zot!” Megjithëse i ka plotësuar këto shkaqe për pranimin e lutjes, lutja e tij nuk merr përgigje. Kjo, sepse ushqimi, pija dhe veshja e tij ishin nga harami, si dhe ishte ushqyer me haram. Prandaj, është e largët që t’i pranohet lutja dikujt që është në këtë gjendje. E si mund t’i pranohet?!
Mikdad ibn Amër Kindiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i kishte thënë të Dërguarit të Allahut ﷺ: "O i Dërguari i Allahut, nëse më ndodh të takoj një jobesimtar e të luftoj me të, ndërkohë më bie me shpatë e ma pret dorën, dhe pastaj mbrohet nga unë pas një peme dhe thotë: "I jam nënshtruar Allahut!" A ta vras, vallë, pasi ta thotë këtë?" - “Mos e vrit!” - tha i Dërguari i Allahut ﷺ. - O i Dërguari i Allahut, ai më preu njërën dorë dhe ato fjalë i tha pasi ma preu dorën, e të mos e vras? - përsëriti Mikdadi. - “Mos e vrit, se po e vrave, ai do të arrijë në pozitën që kishe ti para se ta vrisje, ndërsa ti do të vendosesh në pozitën që kishte ai para se t'i thoshte ato fjalë”, - tha i Dërguari i Allahut ﷺ."
Muttefek alejhiMikdad ibn Esvedi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e pyeti Profetin ﷺ: Nëse unë takoj një njeri nga jobesimtarët në betejë dhe përballemi me shpatat tona, derisa jobesimtari të më godasë me shpatë dhe të më presë njërën dorë. Pastaj ky jobesimtar ikën prej meje dhe strehohet pas një peme, e më pas thotë: "La ilahe il-lallah", a më lejohet ta vras atë pasi ma ka prerë dorën?" Profeti ﷺ i tha: "Mos e vrit!" Ai i tha: "O i Dërguari i Allahut! Ai ma preu njërën dorë, e megjithëkëtë të mos e vras?!" Profeti ﷺ tha: "Mos e vrit, sepse ai tani e ka gjakun haram (është i mbrojtur nga vrasja). Nëse ti e vret pasi ai ka pranuar Islamin, atëherë ai është në pozitën tënde, i mbrojtur nga vrasja për shkak të Islamit të tij, ndërsa ti do të ishe në pozitën e tij, ku gjaku yt do të jetë i lejuar për hakmarrje (kisas)."
Nga Ebu Berzeh el-Eslemi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Këmbët e njeriut nuk do të lëvizin në Ditën e Gjykimit derisa të pyetet për jetën e tij si e kaloi, për dijen e tij sa e zbatoi, për pasurinë e tij si e fitoi dhe si e shpenzoi dhe për trupin e tij si e konsumoi".
Transmeton TirmidhiuProfeti (paqja qoftë mbi të!) na ka njoftuar se asnjë njeri nuk do ta kalojë vendin e llogarisë në Ditën e Gjykimit për në Xhenet ose për në Zjarr derisa të pyetet për disa çështje: E para: për jetën e tij si e ka konsumuar dhe si e ka kaluar? E dyta: për dijen e tij, a e ka mësuar për hir të Allahut? A e ka zbatuar? Dhe, a ua ka kumtuar atyre që e meritonin? E treta: për pasurinë e tij, si e fitoi? A e fitoi në mënyra të ligjshme apo në mënyra të paligjshme? Dhe si e shpenzoi atë? A e shpenzoi për ta kënaqur Allahun apo për ta hidhëruar Atë? E katërta: për trupin, fuqinë, shëndetin dhe rininë e tij, ku i konsumoi këto dhe për çfarë i përdori?
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ, në Betejën e Hajberit, ka thënë: “Do t'ia japë këtë flamur një burri që e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij, në duart e të cilit Allahu do ta mundësojë çlirimin (e Hajberit).” Omer ibn Hatabi në atë rast tha: "Kurrë se kam dashur udhëheqjen përpos atë ditë, andaj zgjatesha drejt tij, duke shpresuar se do të më thërriste, por i Dërguari i Allahut ﷺ e thirri Ali ibn Ebu Talibin dhe ia dha flamurin. Pastaj tha: “Ec përpara dhe mos e kthe kokën mbrapa, derisa Allahu të të bëjë fitimtar!” Aliu eci pakëz, pastaj ndaloi pa u kthyer mbrapa, dhe thirri: "O i Dërguari i Allahut, për çfarë t'i luftoj ata?" Profeti ﷺ i tha: “Luftoji derisa të dëshmojnë se s'ka të adhuruar të denjë pos Allahut, dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, e nëse veprojnë ashtu, atëherë të është ndaluar gjaku dhe pasuria e tyre, përveç me të drejtë, ndërkohë llogaria e tyre është tek Allahu.”
Transmeton MuslimiProfeti ﷺ i informoi sahabët se të nesërmen, muslimanët do të fitojnë kundër hebrenjve të Hajberit, një qytet afër Medinës, dhe kjo fitore do të arrihet nëpërmjet një burri të cilit ai do t’ia japë flamurin, simbol ky, të cilin ushtria e përdor si shenjë të saj. Ky burrë kishte një cilësi të veçantë: ai e donte Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe Allahu dhe i Dërguari i Tij e donin atë. Omeri ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e përmendi se kurrë nuk e kishte dashur udhëheqjen dhe të ishte ai i synuari, përveçse atë ditë. E kjo, me shpresën se do ta arrinte atë që Profeti ﷺ kishte thënë; se Allahu dhe i Dërguari i Tij e duan (dhe ky i do ata). Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e zgjati trupin e tij që Profeti ﷺ ta shihte, me shpresën që të thirrej për këtë përgjegjësi, duke pasur dëshirë dhe ambicie për të marrë atë flamur. Pastaj, Profeti ﷺ e thirri Ali ibn Ebu Talibin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe ia dha flamurin. Profeti ﷺ e urdhëroi që të nisej me ushtrinë dhe të mos largohej nga lufta pasi të përballej me armikun, as për pushim, ndalesë apo armëpushim, derisa Allahu t’ia mundësojë çlirimin e këtyre kështjellave dhe t'i japë fitore e triumf. Atëherë Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) u nis përpara, pastaj ndaloi, por nuk u kthye, në mënyrë që të mos kundërshtonte urdhrin e Profetit ﷺ. Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ngriti zërin dhe tha: "O i Dërguar i Allahut, për çfarë të luftoj kundër njerëzve?" Profeti ﷺ i tha: "Luftoji, derisa të dëshmojnë se s'ka të adhuruar të denjë pos Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut. Kur ata të përgjigjen dhe të hyjnë në Islam, atëherë gjaku dhe pasuria e tyre janë të mbrojtura prej teje dhe të ndaluara për ty, përveç me të drejtën e saj (dëshmisë islame). Pra, përveç nëse kryejnë ndonjë krim apo shkelje, që meriton dënimin me vdekje sipas ligjeve të Islamit, ndërsa llogaria e tyre i përket Allahut.
Nga Numan ibën Beshiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se Profeti i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Shembulli i besimtarëve në dashurinë, mëshirën e në solidarizimin ndërmjet tyre i ngjan një trupi të vetëm, aq sa kur vuan një gjymtyrë e tij, atëherë i gjithë trupi ndan me të pagjumësinë dhe ethet.”
Muttefek alejhiProfeti i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka shpjeguar se gjendja e muslimanëve midis tyre sa i takon dashamirësisë, mëshirës, përkrahjes, mbështetjes dhe shqetësimit nga e keqja që u ndodh atyre, duhet të jetë si gjendja e një trupi të vetëm: kur njëri organ i tij sëmuret, i gjithë trupi reagon me pagjumësi dhe ethe.
Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Nuk është yni ai që godet fytyrën, i shqyen rrobat dhe vajton siç vajtohej gjatë injorancës.”
Muttefek alejhiProfeti ﷺ në këtë hadith ndaloi dhe paralajmëroi për disa veprime të njerëzve të injorancës (xhahilijetit) duke thënë: ''Nuk është yni: E para: Ai që godet faqet. Faqja është përmendur posaçërisht në hadith, sepse zakonisht goditet në raste të tilla, megjithatë, goditja e pjesëve të tjera të fytyrës gjithashtu hyn në ndalimin (e përmendur). E dyta: Shqyerja e rrobës, ku bëhet hapja e saj dhe futet koka në të, për shkak të hidhërimit të madh. E treta: Vajtimi siç vajtohej gjatë injorancës, si të kërkuarit e mjerimit, vajtimit, britmat dhe ankesa të tjera të ngjashme.
Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: "Allahu i Lartësuar thotë: “O bir i Ademit, sa herë që më lutesh e shpreson tek Unë, do të t'i fal ato që ke bërë dhe s'e kam dert. O bir i Ademit, nëse gjynahet e tua arrijnë kupën e qiellit, dhe pastaj më kërkon falje, Unë do të të fal dhe s'e kam dert. O bir i Ademit, nëse ti më vjen me gabime sa Toka, por më takon duke mos më shoqëruar asgjë në adhurim, Unë do të të vij me po aq falje.”
Transmeton TirmidhiuProfeti ﷺ në këtë hadith tregon se Allahu i Lartmadhëruar thotë në një hadith kudsij (hyjnor, të shenjtë): "O bir i Ademit, përderisa më lutesh dhe shpreson në mëshirën Time e nuk i humb shpresat, mëkatin do të ta mbuloj dhe do të ta fshij, pa e pasur dert, edhe sikur ky mëkat apo kjo mosbindje të jetë nga mëkatet e mëdha. O bir i Ademit, sikur mëkatet e tua të ishin aq të shumta, sa ta mbushnin hapësirën ndërmjet Qiellit dhe Tokës, duke i përfishirë dhe mbuluar të gjitha anët dhe cepat, pastaj të më kërkoje falje; Unë do të t'i fshija dhe do të t'i falja të gjitha, e nuk do të kisha asnjë gajle nëse do të ishin të shumta. O bir i Ademit, sikur të më vije pas vdekjes me gjynahe dhe mëkate sa sipërfaqja e Tokës, e ndërkohë ke vdekur si monoteist, duke mos më shoqëruar asgjë; këto mëkate dhe gjynahe do t'i prisja me falje sa sipërfaqja e tokës. Kjo sepse falja Ime është e gjerë dhe Unë i fal të gjitha gjynahet, përveç shirkut (idhujtarisë).
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Besimtari i fuqishëm është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu se besimtari i dobët, e megjithatë të dy kanë mirësi.Kujdesu për atë që të bën dobi, kërko ndihmën e Allahut e mos u ndal (lodh), nëse të godet diçka, mos thuaj: “Sikur të kisha vepruar kështu, do të ishte kështu e ashtu”, por thuaj: “Caktim i Allahut dhe çfarë dëshiron Ai vepron”, sepse fjala “sikur” hap dyert për të vepruar shejtani.”
Transmeton MuslimiPejgamberi (paqja qoftë mbi të!) shpjegon se të gjithë besimtarët janë të mirë, por besimtari i fortë në besimin, vendosmërinë dhe mirëqenien e tij dhe në faktorët e tjerë të fuqisë, është më i mirë dhe më i dashur për Allahun e Madhëruar se besimtari i dobët. Mandej, Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) e porosit besimtarin që të përvetësojë shkaqet e gjërave të dobishme për të, të kësaj jete dhe të jetës tjetër, duke u mbështetur tek Allahu i Madhëruar dhe duke kërkuar ndihmë nga Ai. Pastaj ai (paqja qoftë mbi të!) ia ndalon besimtarit paaftësinë, përtacinë dhe dembelizmin në gjërat që janë të dobishme për të në të dy botët. Kur besimtari e jep mundin e tij në bërjen e diçkaje, i përvetëson shkaqet e duhura, mbështetet tek Allahu i Madhëruar dhe kërkon mirësinë prej Tij, atëherë pas gjithë kësaj, ai duhet t'ia dorëzojë të gjithë çështjen e vet Allahut të Madhëruar dhe ta dijë se zgjedhja e Allahut është më e mira për të. E nëse pas kësaj, atë e godet ndonjë fatkeqësi, të mos thotë: "Sikur të kisha vepruar kështu, do të kishte ndodhur kështu e ashtu!" Sepse fjala “sikur” i hap derën punës së shejtanit dhe e shtyn njeriun që të kundërshtojë kaderin dhe të brengoset për të kaluarën. Por, le të thotë, i nënshtruar dhe i kënaqur: "Caktimi i Allahut, Ai bën ç'të dëshirojë!" Andaj, ajo që ka ndodhur, ka ndodhur në përputhje me dëshirën e Allahut. Ai bën ç'të dojë, askush nuk e kthen mbrapsht vendimin e Tij dhe askush nuk e ndryshon dot gjykimin e Tij.