





























Hadeeth Cards
Da'wa cards that highlight great meanings from the noble prophetic hadiths in a simple style and attractive display that helps the Muslim to have a deeper understanding of his religion in an easy way
All
Nga Ebu Uakid el-Lejthi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se: Kur Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ishte rrugës për në Hunejn, kaloi pranë një peme të idhujtarëve, të cilën e quanin "Dhatu en'uat". Në këtë pemë idhujtarët varnin armët e tyre. Disa nga të pranishmit i thanë Pejgamberit (paqja qoftë mbi të!): "Na cakto dhe neve një Dhatu en'uat siç e kanë ata. Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) tha: "I patëmeta është Allahu! Kjo që sapo thatë është si ajo që tha populli i Musait: "Cakto një zot për ne siç kanë ata zota!" (A'raf: 138) "Betohem për Atë në dorën e të cilit është shpirti im, ju do të ndiqni zakonet e atyre që kanë jetuar para jush!".
Transmetojnë Tirmidhiu dhe AhmediPejgamberi (paqja qoftë mbi të!) u nis drejt Hunejnit, që gjendej në një luginë midis Taifit dhe Mekës, ndërkohë me të ishin dhe disa nga sahabët që sapo kishin hyrë në fenë islame. Ata kaluan pranë një peme, e cila njihej me emrin "Dhatu en'uat" që do të thotë "Pema ku varen gjërat". Idhujtarët e madhëronin këtë pemë dhe varnin në të armët e tyre dhe gjëra të tjera në kërkim të begatisë. Këta sahabë që ishin të rinj në Islam kërkuan nga Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) të caktonte për ta një pemë si ajo, ku të varnin armët e tyre, duke menduar se një gjë e tillë është e lejuar. Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) lëvdoi dhe madhëroi Allahun në formë refuzimi ndaj asaj që ata thanë. Ai i njoftoi se këto fjalë ishin të ngjashme me fjalët që populli i Musait i tha Musait: "Cakto për ne një zot siç kanë ata zota!" Populli i Musait e bënë këtë kërkesë kur panë një popull që adhuronin idhujt. Kështu, ata kërkuan nga ai që të kishin dhe ata idhuj siç kishin idhujtarët. Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) i njoftoi këta sahabë që kjo gjë është imitim i rrugës së popullit të Musait. Mandej Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) njoftoi se ky umet do të ndjekë rrugën e hebrenjve dhe të krishterëve dhe do të bëjë atë që ata kanë bërë. Ai e tha këtë në formë paralajmërimi.
Nga Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se një burrë erdhi te Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) dhe foli me të për një çështje dhe pastaj tha: "Si të dojë Allahu dhe si të duash ti!" Sakaq, Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) i tha: "A më bëre të barabartë me Allahun!?" Thuaj: "Si të dojë Allahu i Vetëm!"
Transmetojnë Ibn Maxhe, Nesaiu në “Es-Sunen el-kubra” dhe AhmediNjë burrë erdhi te Pejgmaberi (paqja qoftë mbi të!) dhe foli me të për një çështje të tijën dhe më pas tha: "Si të dojë Allahu dhe si të duash ti!". Mirëpo Pejgamberit (paqja qoftë mbi të!) nuk i pëlqyen këto fjalë dhe e njoftoi atë se bashkimi midis vullnetit të Allahut dhe vullnetit të krijesës është shirk i vogël dhe nuk i lejohet muslimanit që të shprehet në këtë mënyrë. Mandej ai e udhëzoi atë të thoshte fjalët e sakta që janë: "Si të dojë Allahu i Vetëm!" Duke e ndarë Allahun veçmas me vullnetin e Tij dhe duke mos e bashkuar atë me vullnetin e askujt tjetër në asnjë formë.
Nga Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se ka thënë: "Njëherë Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) erdhi në dhomën time dhe unë kisha mbuluar një dollap me një pëlhurë në të cilën kishte figura frymorësh. Kur e pa, atij i ndryshoi ngjyra e fytyrës dhe pasi e grisi atë, tha: 'O Aishe, njerëzit që do të kenë dënimin më të ashpër tek Allahu në Ditën e Gjykimit, janë ata që imitojnë krijimin e Allahut.'" Aishja tha: "Ne e premë atë dhe me të bëmë një ose dy jastëkë."
Muttefek alejhiPejgamberi (paqja qoftë mbi të!) hyri në dhomën e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe pa që ajo kishte mbuluar një dollap të vogël, ku vendosen sendet, me një pëlhurë në të cilën kishte piktura frymorësh. Nga zemërimi për Allahun, Pejgamberit (paqja qoftë mbi të!) i ndryshoi ngjyra e fytyrës, e hoqi pëlhurën dhe tha: "Njerëzit që do të kenë dënimin më të ashpër në Ditën e Gjykimit do të jenë ata që përpiqen të imitojnë Allahun, duke pikturuar krijesat e Allahut." Aisheja tha që e prenë atë pëlhurë dhe me të bënë një ose dy jastëkë.
Nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Allahu ka thënë: "Biri i Ademit më përgënjeshtroi e atij nuk i takonte ta bënte një gjë të tillë! Ai më ofendoi e atij nuk i takonte ta bënte një gjë të tillë! Ai më përgënjeshtroi kur tha: "Ai Nuk do të më rikthejë në gjendjen fillestare!" Ndërkohë që krijimi i parë nuk është më i lehtë për Mua se rikrijimi i tij. Dhe më ofendoi kur tha: "Allahu ka bërë një fëmijë" Ndërkohë që Unë jam i Vetmi dhe i Panevoji, as kam lindur e as jam i lindur dhe askush nuk është i njëjtë me Mua!"
Transmeton BuhariuPejgamberi (paqja qoftë mbi të!) përmes këtij hadithi kudsi shpjegon se Allahu i Madhëruar ka treguar lidhur me idhujtarët dhe të pafetë se ata e përgënjeshtrojnë Atë dhe e përshkruajnë Atë me mangësi dhe të meta. E një gjë e tillë nuk u takon që ta bëjnë. Përgënjeshtrimi që ata i bënë Allahut është se ata pretenduan që Allahu nuk do t'i rikthejë për së dyti në jetë pasi të kenë vdekur, sikurse i krijoi herën e parë nga asgjëja! Allahu iu përgjigj se Ai që i krijoi ata për herë të parë nga asgjëja është i aftë që t'i rikrijojë ata përsëri, madje kjo është dhe më e lehtë, edhe pse në raport me Allahun të dyja çështjet; krijimi fillestar dhe rikrijimi janë të barabarta, ngase Ai është i aftë për çdo gjë. Ndërsa ofendimi që ata i bënë Atij është se thanë që Ai ka një fëmijë. Këtij pretendimi Ai iu përgjigj se Ai është i Vetmi dhe se Atij i takojnë të gjitha përsosuritë në emrat, cilësitë dhe veprat e Tij. Ai është i pastër nga çdo mangësi dhe e metë. Ai është i panevojë e nuk ka nevojë për askënd, ndërsa të gjitha krijesat kanë nevojë për Të. Ai nuk është prind i askujt dhe as fëmija i askujt dhe asgjë nuk është e barabartë apo e njëjtë me Të. I Pastër dhe i Patëmeta është Ai!
Nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Allahu i Madhëruar ka thënë: "Unë i shpall luftë atij që shfaq armiqësi ndaj mikut Tim! Veprat më të dashura me të cilat më afrohet robi Im, janë ato të cilat Unë ia kam bërë detyrim atij. Robi im më afrohet vazhdimisht, duke kryer vepra nafile (vullnetare), derisa Unë ta dua atë. E kur Unë ta dua atë, atëherë do të bëhem veshi i tij me të cilin dëgjon, syri i tij me të cilin shikon, dora e tij me të cilën godet, këmba e tij me të cilën ecën dhe nëse ai më kërkon diçka, do t'ia jap atë e nëse më kërkon ta mbroj, do ta mbroj atë. Unë nuk ngurroj për asnjë punë sa ç'ngurroj të marr shpirtin e një besimtari, sepse ai e urren vdekjen dhe Unë urrej t'i bëj keq atij".
Transmeton BuhariuPërmes këtij hadithi kudsi Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ka njoftuar se Allahu i Madhëruar ka thënë se Ai që lëndon dikë nga miqtë e Mi, e zemëron dhe e urren atë, Unë i shpall armiqësinë Time atij. Miku i Zotit është besimtari i devotshëm. Niveli i miqësisë së njeriut me Allahun është sipas besimit dhe devotshmërisë së tij. Ajo që e afron njeriun më së tepërmi me Zotin e tij është ajo që Ai ia ka bërë të detyrueshme, si: bërja e punëve të mira dhe largimi nga punët e këqia. Nëse njeriu vazhdon t'i afrohet Zotit të tij me punë vullnetare, duke i bërë dhe punët e detyrueshme, atëherë ai fiton dashurinë e Allahut. E kur Allahu ta dojë atë, atëherë Ai ia drejton atij këto katër gjymtyrë: I drejton dëgjimin e ai dëgjon vetëm ato fjalë që kënaqin Allahun. I drejton shikimin e ai sheh vetëm atë që Allahu do dhe pëlqen të shihet. I drejton dorën e ai bën me dorën e tij vetëm atë që i pëlqen Allahut. I drejton këmbën e ai shkon vetëm atje ku i pëlqen Allahut dhe vetëm te punët e mira. Veç kësaj, nëse Ai i kërkon diçka Allahut, Ai ia jep atë atij. Kështu, ai bëhet njeri që i pranohet lutja. E nëse kërkon mbrojtjen e Allahut, Ai e mbron atë nga gjërat që i frikësohet. Mandej Allahu i Madhëruar thotë se Unë nuk ngurroj për diçka që do e bëj, aq sa ngurroj kur i marr shpirtin besimtarit. Më dhimbset, ngase ai nuk e pëlqen vdekjen prej dhimbjeve të saj. Kështu, Allahut nuk i pëlqen ajo që i shkakton dhimbje besimtarit.
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Dy gjëra, nëse gjenden ndër njerëz, janë kufër (mosbesim): Fyerja e prejardhjes dhe vajtimi për të vdekurin.”
Transmeton MuslimiProfeti ﷺ në këtë hadith tregon për dy cilësi te njerëzit që janë nga veprat e jobesimtarëve dhe morali i injorancës (xhahilijetit), e ato janë: E para: Fyerja e prejardhjes së njerëzve, nënvlerësimi dhe mendjemadhësia ndaj tyre. E dyta: Ngritja e zërit gjatë fatkeqësisë si shenjë pakënaqësie ndaj kaderit (përcaktimit të Allahut) ose shqyerja e rrobave nga dëshpërimi i madh.
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “A e dini se kush është i falimentuari?” Të pranishmit iu përgjigjën: "I falimentuari te ne është ai që nuk ka as dërhemë e as mall." Atëherë Profeti ﷺ tha: “I falimentuari nga umeti im është ai që vjen në Ditën e Kiametit me namaz, me agjërim dhe me zekat, mirëpo e ka ofenduar filanin, ka shpifur për filanin, e ka ngrënë pasurinë e filanit, ka derdhur gjakun e filanit dhe ka rrahur filanin. Rrjedhimisht, filanit do t'i jepen nga të mirat e këtij, atij tjetrit do t'i jepen nga të mirat e këtij, e, kur t'i harxhohen të mirat para se t'i lajë padrejtësitë ndaj tyre, atëherë do të merren mëkatet e tyre dhe do t'i hidhen këtij dhe më pas do të hidhet në Zjarr.”
Transmeton MuslimiProfeti ﷺ i pyeti shokët e tij: "A e dini se kush është i falimentuari?" Ata thanë: "I falimentuari në mesin tonë është ai që nuk ka pasuri e as mall." Kësisoj u tha Profeti ﷺ: "I falimentuari nga umeti im në Ditën e Kiametit është ai që bën vepra të mira, si: namazi, agjërimi dhe zekati dhe vjen, ndërsa dikë ka sharë dhe ka ofenduar, tjetrin e ka akuzuar në nder, të tretit ia ka ngrënë pasurinë dhe e ka mohuar këtë gjë, të pestit i ka derdhur gjakun dhe i ka bërë zullum, të gjashtin e ka rrahur dhe poshtëruar, kësisoj të shtypurit u jepen prej të mirave të tij. Andaj, nëse veprat e tij të mira shteren para se të eliminohen të drejtat dhe zullumet, të shtypurit do t'i hiqen mëkatet dhe do të vendosen në regjistrat e shtypësit (të falimentuarit), pastaj do të hidhet në Zjarr, ku nuk do t'i mbetet asnjë vepër e mirë.
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Pronarit të arit dhe argjendit, që nuk e jep hakun e tyre (zekatin), kur të bëhet Dita e Kiametit ato do t'i shndërrohen në pllaka prej Zjarri, të cilat skuqen në zjarr të Xhehenemit e me to i hekuroset trupi, balli e shpina. Sa herë që ftohen, ato sërish skuqen në zjarr për atë, në Ditën, gjatësia e së cilës është pesëdhjetë mijë vjet. Kur të mbarojë gjykimi mes njerëzve, atij do t'i tregohet rruga: ose për në Xhenet, ose për në Zjarr.” - O i Dërguari i Allahut, po devetë? - e pyeti dikush. - “Pronari i deveve, i cili nuk e jep hakun e tyre (zekatin), e prej hakut të tyre është mjelja e tyre ditën kur të pinë ujë (për t'u dhënë qumësht kalimtarëve), kur të ndodhë Dita e Kiametit, hidhet (me fytyrë) përtokë, ndërkohë devetë do të jenë në numrin më të madh dhe në peshën më të rëndë nga sa e kishin (në këtë botë), nuk do t'i mungojë as dhe një deve e vogël, por do ta shkelin me shputa dhe do ta kafshojnë me dhëmbë. Sa herë që kalojnë të parat, i kthehen sërish ato të fundit. Kjo do të ndodhë ditën, gjatësia e së cilës është pesëdhjetë mijë vjet, derisa të mbarojë gjykimi mes njerëzve. Atëherë do ta shohë rrugën: ose për në Xhenet, ose për në Zjarr.” - O i Dërguari i Allahut, po lopët dhe delet? - e pyeti dikush. - “Pronari i lopëve ose i deleve, i cili nuk e jep hakun e tyre (zekatin), kur të ndodhë Dita e Kiametit, hidhet (me fytyrë) përtokë. Atij nuk do t'i mungojë asgjë. Ato nuk janë me brirë të dredhura mbrapa, as janë pa brirë, e as i kanë të thyera. Do ta godasin me brirë e do ta shkelin me thundra. Sa herë që kalojnë të parat, i kthehen sërish ato të fundit. Kjo do të ndodhë Ditën, gjatësia e së cilës është pesëdhjetë mijë vjet, derisa të mbarojë gjykimi mes njerëzve. Atëherë do ta shohë rrugën: ose për në Xhenet, ose për në Zjarr.” - O i Dërguari i Allahut, po kuajt? - e pyeti dikush. “Kuajt ndahen në tri lloje: për dikë janë barrë e mëkat, për dikë mburojë, e për dikë janë shpërblim. Sa i përket atij për të cilin janë mëkat, është personi që mban kuaj nga syefaqësia, mendjemadhësia dhe i shfrytëzon në armiqësi të muslimanëve. Këtij i llogariten barrë dhe mëkat. Ai për të cilin janë mburojë, është personi që mban kuaj për hir të Allahut dhe nuk e harron hakun e tyre, për shpinën (kalërimin) dhe kokat (zekatin) e tyre, me të cilin Allahu e ka ngarkuar. Këtij i llogariten mburojë (nga varfëria). Ndërkaq, atij që i llogaritet shpërblim është personi që mban kuaj për luftë në rrugën e Allahut, për (t'i ndihmuar) muslimanët. Ai i lidh në kullosë ose kopsht, kështu që sa hanë nga kullosa ose kopshti, i llogaritet shpërblim pronarit me aq të mira. Po ashtu i shkruhen shpërblimet aq sa është numri i bajgave dhe i urinave të tyre. Nëse ndodh ta këpusin litarin dhe të ikin një ose dy kodra larg, Allahu ia llogarit shpërblim pronarit aq sa është numri i fërkimeve dhe bajgave të tyre. Sa herë që pronari kalon pranë lumit dhe kali pi aty, pa dashur pronari t'i japë ujë, Allahu ia llogarit shpërblim pronarit, aq sa ka pirë.”
Muttefek alejhiProfeti ﷺ në këtë hadith i sqaroi llojet e pasurisë dhe ndëshkimin për atë që nuk e jep zekatin e saj në Ditën e Kiametit. Prej tyre i përmendi këta: E para: Ari, argjendi dhe çdo pasuri tjetër e ngjashme me to, si mallrat tregtare, për të cilat është obliguar zekati, por nuk është dhënë. Kur të vijë Dita e Kiametit, ato do të shkrihen dhe do të derdhen në formën e pllakave, pastaj do të nxehen në zjarrin e Xhehenemit dhe pronari i tyre do të ndëshkohet me to. Me to i hekuroset trupi, balli e shpina, si dhe sa herë që të ftohen, do të rinxehen përsëri. Ky ndëshkim do të vazhdojë gjatë gjithë Ditës së Kiametit, e cila zgjat pesëdhjetë mijë vjet, derisa Allahu të gjykojë mes krijesave dhe të vendosë nëse ai do të jetë banor i Xhenetit apo i Zjarrit. E dyta: Pronari i deveve që nuk e jep zekatin dhe të drejtat e tyre, përfshirë lejimin e të varfërve të marrin qumështin e tyre. Në Ditën e Kiametit, këto deve do të sillen të mëdha, të shëndosha dhe në numrin më të madh që kanë pasur ndonjëherë. Pronari i tyre do të shtrihet në një tokë të gjerë dhe të sheshtë, ku ato do ta shkelin me shputat e tyre dhe do ta kafshojnë me dhëmbët e tyre. Sa herë që të kalojë tufa e fundit, do t'i kthehet përsëri e para. Ky ndëshkim do të vazhdojë gjatë gjithë Ditës së Kiametit, e cila zgjat pesëdhjetë mijë vjet, derisa Allahu të gjykojë mes krijesave dhe të vendosë nëse ai do të jetë banor i Xhenetit apo i Zjarrit. E treta: Pronari i lopëve dhe deleve, qofshin ato dhen apo dhi, që nuk jep zekatin e tyre të detyrueshëm. Në Ditën e Kiametit, ato do të sillen në numrin e tyre më të madh, pa munguar asnjëra prej tyre. Pronari i tyre do të shtrihet në një tokë të gjerë dhe të sheshtë, ku nuk do të ketë asnjë me brirë të thyer, pa brirë apo me të meta, por të gjitha do të jenë në formën e tyre më të plotë. Ato do ta godasin me brirët e tyre dhe do ta shkelin me thundrat e tyre. Sa herë që të kalojë tufa e fundit, do t’i kthehet përsëri e para. Ky ndëshkim do të vazhdojë gjatë gjithë Ditës së Kiametit, e cila zgjat pesëdhjetë mijë vjet, derisa Allahu të gjykojë mes krijesave dhe të vendosë nëse ai do të jetë banor i Xhenetit apo i Zjarrit. E katërta: Pronari i kuajve, të cilët ndahen në tre kategori: E para: Kuajt për të cilët bart barrë mëkati. Kjo vlen për atë që i mban kuajt për t’u mburrur, për syfaqësi dhe për luftë kundër muslimanëve. E dyta: Kuajt që janë mbrojtje për të. Kjo vlen për atë që i mban kuajt për xhihad në rrugë të Allahut, pastaj sillet mirë me ta duke u siguruar ushqimin dhe kujdesin e nevojshëm, përfshirë edhe lënien e tyre për çiftëzim. E treta: Kuaj për të cilët ka shpërblim. Kjo vlen për atë që i mban kuajt për xhihad në rrugë të Allahut për t'ia dhënë muslimanëve. Nëse ata kullosin në një livadh apo luginë, çdo kafshatë që hanë do t’i shkruhet si sevap. Gjithashtu, çdo jashtëqitje dhe urinë e tyre do t’i shkruhet si sevap. Nëse e këpusin litarin me të cilin janë lidhur dhe vrapojnë shpejt në një vend të ngritur, çdo gjurmë e tyre dhe çdo jashtëqitje do t’i numërohet si sevap. Po ashtu, nëse kalon pranë një lumi dhe ata pinë ujë prej tij, ndërsa pronari nuk kishte ndërmend t’u jepte ujë, do t’i shkruhet sevap për çdo gllënkë që pinë. Pastaj Profeti ﷺ u pyet se a janë gomarët si kuajt? Atëherë Profeti ﷺ tha se nuk është shpallur ndonjë ligj specifik për to, përveç këtij ajeti të rrallë, i cili është i përgjithshëm për të gjitha llojet e veprave, qofshin të mira apo të këqija, ku thotë Allahu i Lartësuar: "Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë." (Ez Zelzele, 8) Pra, kush i mban gomarët me qëllim të mirë dhe për bindje ndaj Allahut, do ta shohë shpërblimin për këtë, sikurse kush i mban ata për mosbindje ndaj Tij, do ta shohë ndëshkimin. Ky parim i përfshin të gjitha veprat.
Adij ibn Hatimi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu do t'i flasë secilit drejtpërdrejt, pa përkthyes mes Allahut dhe robit. Kur robi shikon djathtas, nuk sheh asgjë përveç veprave të veta. Pastaj shikon majtas dhe, sërish, nuk sheh asgjë përveç veprave të veta. Pastaj shikon para vetes, por nuk sheh asgjë përveç Zjarrit përpara fytyrës. Prandaj, ruajuni nga Zjarri, qoftë dhe me gjysmë hurme.”
Muttefek alejhiProfeti ﷺ në këtë hadith na tregon se çdo besimtar do të qëndrojë para Allahut në Ditën e Gjykimit i vetëm dhe se Allahu i Lartësuar do t'i flasë pa ndërmjetës dhe nuk do të ketë mes tyre përkthyes që do ta përkthejë bisedën mes tyre. Ai do të shikojë djathtas e majtas për shkak të frikës së madhe, që të gjejë një rrugëdalje për të shpëtuar nga Zjarri që është përpara tij. Kur të shikojë nga ana e djathtë, do t'i shohë vetëm veprat e mira që ka bërë, e, kur të shikojë nga ana e majtë, do t'i shohë vetëm veprat e këqija që ka bërë. E, kur të shikojë përpara, do ta shohë vetëm Zjarrin, e nuk mund të largohet nga ai, sepse duhet patjetër të kalojë mbi Urën e Siratit. Pastaj Profeti ﷺ tha të vendosni ndërmjet jush dhe Zjarrit një mbrojtje: sadaka dhe vepra mirësie, qoftë dhe diçka e vogël, si gjysmë hurme.