





























Hadeeth Cards
Da'wa cards that highlight great meanings from the noble prophetic hadiths in a simple style and attractive display that helps the Muslim to have a deeper understanding of his religion in an easy way
All
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Me të vërtetë, Allahu nuk i shikon pamjet dhe pasuritë tuaja, por i shikon zemrat dhe veprat tuaja."
Transmeton MuslimiProfeti ﷺ tregon se Allahu i Lartësuar nuk i shikon trupat dhe pamjet e robërve të Tij, se a janë ato të bukura apo të shëmtuara, a janë të mëdhenj apo të vegjël e a janë të sëmurë a të shëndoshë. Po ashtu nuk shikon në pasuritë e tyre, se a është shumë apo pak. Allahu i Lartmadhëruar nuk i ndëshkon dhe nuk i merr në llogari robërit e Tij për këto çështje dhe dallimet që ata i kanë në to, por Ai i shikon zemrat e tyre: devotshmërinë, bindjen, vërtetësinë dhe sinqeritetin që ndodhet në zemra, pra se a kishte qëllim syefaqësinë e reputacionin, si dhe i shikon veprat e tyre sa i përket të qenit të tyre në rregull apo jo dhe shpërblen për to.
Omer ibën Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, ndërsa rrinim ulur tek i Dërguari i Allahut ﷺ, u shfaq një njeri fort rrobëbardhë e tejet flokëzi, tek i cili nuk vëreheshin shenja udhëtimi. Atë nuk e njihte asnjëri prej nesh. U ul pranë Profetit ﷺ duke i vendosur gjunjët e tij afër gjunjëve të të Dërguarit e duke i vënë shuplakat e duarve të tij mbi kofshët e veta, e në atë rast pyeti: “O Muhamed, më trego për Islamin.” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Islami është të dëshmosh se nuk meriton të adhurohet askush përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij, të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh Ramazanin dhe të kryesh haxhillëkun (këtë të fundit) po pate mundësi.” Ai i tha: “Ashtu është.” Ne u çuditëm, sepse vetë e pyeste, vetë ia vërtetonte! Ai tha: “Më trego për besimin (imanin).” I Dërguari tha: “Besimi është të besosh në Allahun, në melekët, në librat e Tij, në të dërguarit, në Ditën e Fundit dhe të besosh në paracaktimin (kaderin), qoftë i mirë, qoftë i keq.” Ai i tha: “Ashtu është." Më trego për ihsanin (përsosurinë e adhurimit).” I Dërguari tha: “Ta adhurosh Allahun sikurse të jesh duke e parë Atë. Edhe pse ti nuk e sheh Atë, Ai gjithsesi të sheh ty.” Ai i tha: “Më trego për Kiametin.” I Dërguari tha: “Në lidhje me këtë i pyeturi nuk di më shumë sesa pyetësi.” Ai i tha: “Atëherë, tregomë për shenjat e tij.” I Dërguari tha: “(Kiameti vjen) kur robëresha ta lindë zonjën e saj dhe kur t’i shohësh këmbëzbathurit, të zhveshurit, fukarenjtë e barinjtë e deleve duke garuar për të bërë ndërtesa sa më të larta.” Pastaj, ai u largua, kurse ne qëndruam për një kohë. Më pas, i Dërguari më tha: “O Omer, a e di kush është ai që pyeste.” Unë thashë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.” Ai tha: “Ai qe Xhibrili dhe erdhi për t’jua mësuar fenë.”
Transmeton MuslimiOmer ibën Hattabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) na tregon se Xhibrili (alejhi selam) u shfaq para sahabëve (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) në formën e një njeriu që nuk njihej. Karakteristikë e tij ishte se rrobat i kishte fort të bardha dhe ishte tejet flokëzi, tek i cili nuk vëreheshin shenja udhëtimi, fjala vjen, të shfaqej lodhja, pluhuri, flokët e ndarë dhe rrobat e pista. Askush nga të pranishmit nuk e njohu. Sahabët ishin ulur me Profetin ﷺ, kështu që ai u ul para Profetit ﷺ në atë mënyrë si ulet nxënësi dhe e pyeti për Islamin dhe kësisoj Profeti ﷺ u përgjigj me këto shtylla që përfshijnë pranimin e dy dëshmive, faljen e pesë namazeve ditore në vazhdimësi, dhënien e zekatit atyre që e meritojnë, agjërimin e muajit Ramazan dhe kryerjen e haxhillëkut për atë që ka mundësi. Pyetësi tha: "Ashtu është." Kështu, sahabët u befasuan nga pyetja e Xhibrilit (alejhi selam), që tregonte në pamje të jashtme se ai nuk e dinte atë, e pastaj ai e miratoi vetë përgjigjen e Profetit. Xhibrili (alejhi selam) pastaj e pyeti për besimin dhe ai iu përgjigj me këto gjashtë shtylla, të cilat përfshinin besimin rreth ekzistimit të Allahut të Lartësuar dhe cilësive të Tij, si dhe veçimin e Tij me veprat e Veta, bie fjala, krijimi, si dhe veçimin e Tij me adhurim. Githashtu besimin se melekët, që krijoi Allahu, janë robër të nderuar që nuk e kundërshtojnë Allahun e Lartësuar dhe me urdhrin e Tij ata punojnë. Besimin në librat që u janë shpallur të dërguarve nga Allahu i Lartësuar, si: Kurani, Tevrati, Inxhili e të tjerë. Besimin në të Dërguarit, të cilët e kumtojnë nga Allahu fenë e Tij. Prej tyre janë: Nuhu, Ibrahimi, Musai, Isai dhe i fundit prej tyre është Muhamedi ﷺ dhe profetët e të dërguarit e tjerë. Besimin në Ditën e Fundit dhe gjërat që vijnë pas vdekjes, si: varri e jeta në varreza dhe se njeriu do të ringjallet pas vdekjes dhe do të merret në llogari, si dhe fundi i tij do të jetë ose në Xhenet, ose në Zjarr. Besimin se Allahu i paracaktoi gjërat sipas dijes së Tij si dhe ndodhën sipas urtësisë, shkrimit e vullnetit të Tij. Ato ndodhën mu ashtu siç i përcaktoi dhe i krijoi Allahu. Pastaj e pyeti për ihsanin (përsosurinë e adhurimit), kështu që i tregoi se ihsani është: "Ta adhurosh Allahun sikurse të jesh duke e parë Atë." Nëse nuk mund ta realizojë të arrijë deri te kjo pozitë, atëherë: "Ta adhurojë Allahu e Lartësuar sikur ta shohë Allahu atë." Shkalla e parë është: adhurimi i Allahut sikur je duke e parë, kjo është shkalla më e lartë, ndërsa e dyta është shkalla e vëzhgimit (ndjenjës se Allahu të vëzhgon). Më pas e pyeti për Kiametin se kur do të ndodhë e Profeti ﷺ sqaroi se dijen rreth Kiametit e ka mbajtur Allahu të fshehtë në dijen e Tij, kështu që askush përveç Tij nuk e di, rrjedhimisht as i pyeturi e as pyetësi. Më pas e pyeti për shenjat e Kiametit e pastaj sqaroi se ndër shenjat e Kiametit është se do të shtohen robëreshat dhe fëmijët e tyre, ose do të shtohet mosrespektimi i nënave nga ana e fëmijëve duke i trajtuar si robëresha. Gjithashtu, barinjve të deleve dhe të varfërve do t'u hapet kjo botë në fundin e botës, kështu që do të mburren ndaj njëri-tjetrit rreth zbukurimit dhe ndërtimit të ndërtesave (të larta). Pastaj Profeti ﷺ tregoi se pyetësi ishte Xhibrili (alejhi selam) i cili erdhi për t'ua mësuar sahabëve këtë fe besimdrejtë.
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Atij që shpik në çështjen (fenë) tonë diçka që nuk është e saj, i refuzohet." (E shënojnë Buhariu dhe Muslimi) Në motërzimin e Muslimit qëndron: "Atij që bën ndonjë vepër që nuk është në përputhje me çështjen (fenë) tonë, i refuzohet."
Muttefek alejhiProfeti ﷺ në këtë hadith sqaron se kushdo që shpik në fe ose bën diçka për të cilën nuk ka argument nga Kurani dhe Suneti, ajo do t'i refuzohet vepruesit të saj dhe do të jetë e papranueshme tek Allahu.
Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se Profeti ﷺ tregon se Allahu i Lartësuar thotë: "O robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar Vetes padrejtësinë dhe e kam bërë të ndaluar edhe ndërmjet jush, andaj mos i bëni padrejtësi njëri-tjetrit. O robërit e Mi! Të gjithë jeni të devijuar, përveç atij që Unë e udhëzoj, andaj më kërkoni udhëzim, që t'ju udhëzoj. O robërit e Mi! Të gjithë jeni të uritur, përveç atij që Unë e ushqej, andaj më kërkoni ushqim, që t'ju ushqej. O robërit e Mi! Të gjithë jeni të zhveshur, përveç atij që Unë e vesh, andaj më kërkoni veshmbathje, që t'ju furnizoj me të. O robërit e Mi! Ju bëni gabime natë e ditë, ndërsa Unë i fal të gjitha mëkatet, andaj më kërkoni falje, që t'ju fal. Ju kurrë nuk do të arrini të më bëni dëm e as që do të keni mundësi të më bëni dobi. O robërit e Mi, edhe po qe se të gjithë ju, i pari e i fundit, përfshirë njerëzit e xhinët, bëheni si njeriu më zemërmirë prej jush, kjo gjë aspak nuk do ta shtonte sundimin Tim. O robërit e Mi, edhe nëse të gjithë njerëzit e xhinët, fillim e mbarim, bëheni si njeriu më zemërprishur nga mesi juaj, kjo gjë as që do të pakonte sundimin Tim. O robërit e Mi, në qoftë se të gjithë njerëzit e xhinët, fund e krye, tubohen në një vend, më drejtohen me kërkesa e Unë i jap gjithsecilit atë që kërkon, kjo nuk do të pakësonte asgjë nga ajo që gjendet tek Unë, respektivisht aq sa përthith gjilpëra kur futet në det. O robërit e Mi! Vërtet ato janë veprat tuaja, të cilat i ruaj e më pas jua shpërblej, kështu që, kushdo që gjen mirë, le ta falënderojë Allahun, ndërkaq, ai që gjen keq, le ta qortojë vetëm vetveten."
Transmeton MuslimiProfeti ﷺ në këtë hadith na sqaron se Allahu i Lartmadhëruar ia ka ndaluar padrejtësinë Vetvetes dhe e ka bërë të ndaluar te krijesat e Tij, në mënyrë që askush të mos i bëjë padrejtësi ndokujt tjetër. Të gjithë njerëzit janë të devijuar nga rruga e vërtetë, përveç atyre që i udhëzon Allahu e u jep sukses, kështu që, atij që i kërkon Allahut udhëzim, Ai i jep sukses dhe udhëzim. Njerëzit janë të varfër dhe nevojtarë për Allahun në të gjitha nevojat e tyre, andaj, kushdo që i kërkon Allahut, Ai ia plotëson e nevojat dhe i mjafton. Ata mëkatojnë gjatë ditës e natës dhe Allahu i Lartësuar ia mbulon e ia fal robit kur ai kërkon falje. Ata nuk kanë mundësi aspak t'i bëjnë dëm e as dobi Allahut. Ata edhe sikur të bëheshin si njeriu më zemërmirë, kjo gjë aspak nuk do ta shtonte sundimin e Allahut. Ata edhe sikur të bëheshin si njeriu më zemërprishur, kjo gjë nuk do të pakonte sundimin e Tij, sepse janë të dobët e të varfër për Allahun; nevojtarë për Të në çdo gjendje, kohë e vend, e Ai është i Vetëmjaftueshmi, i Latësuari. Nëse ata do të qëndronin në një vend, njerëzit dhe xhinët, fund e krye, duke e lutur Allahun dhe Ai do t'i jepte secilit prej tyre atë që kërkon, kjo nuk do të pakësonte asgjë nga ajo që ka Allahu, sikurse një gjilpërë, nëse futet në det dhe pastaj hiqet, nuk do të pakësonte asgjë prej detit. Kjo është për shkak të vetëmjaftueshmërisë së përsosur të Allahut të Lartësuar. Allahu i Lartësar i ruan veprat e robërve, ua llogarit dhe i shpërblen për to në Ditën e Kiametit. Andaj, kushdo që e gjen shpërblimin për punën e tij të mirë, le ta falënderojë Allahun që i dha sukses t'i bindet Atij, e, kushdo që e gjen shpërblimin e punës së tij, të jetë diçka tjetër, atëherë le të mos qortojë askënd pos vetes - shpirtit, i cili është i prirur për të keqen, gjë që e dërgoi në humbje.
Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) ka thënë: “Një ditë, ndërsa isha mbrapa Profetit ﷺ, më tha: "O djalosh, po të mësoj disa fjalë: “Ruaje Allahun, që Ai të të ruajë ty! Ruaje Allahun, që ta kesh pranë! Kur të lypësh, lypi Allahut, e, kur të kërkosh ndihmë, kërko nga Allahu! Gjithashtu, dije se, po qe se të gjithë njerëzit do të mblidheshin për të të bërë mirë, nuk do të mund të të bënin mirë, pos asaj që ta ka caktuar Allahu, dhe anasjellas, nëse bashkohen për të të bërë dëm, nuk do të mund të të dëmtonin, përveç asaj që ta ka caktuar Allahu. Tashmë lapsat janë ngritur dhe fletët janë tharë."
Transmeton TirmidhiuIbën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) tregon se ishte i ri, hipur (mbi kafshë) me Profetin ﷺ, kur i tha: "Unë po të mësoj disa çështje dhe gjëra, përmes të cilave Allahu do të të bëjë dobi: "Ruaje Allahun duke i ruajtur urdhrat e Tij dhe duke iu shmangur ndalesave të Tij, në mënyrë që Ai të të gjejë duke bërë adhurime e të të mos gjejë duke bërë mëkate. E, nëse e bën këtë, shpërblimi yt do të jetë që Zoti të të ruajë nga të këqijat e kësaj bote dhe të botës tjetër, si dhe do të të ndihmojë në punët e tua kudo që të shkosh. Nëse dëshiron të lypësh diçka, lypi vetëm Allahut, sepse vetëm Ai u përgjigjet kërkesave të atyre që e lusin. Nëse dëshiron ndihmë, mos e kërko prej askujt pos Allahut. Duhet të jesh i bindur se nuk do të kesh asnjë dobi, edhe nëse të gjithë njerëzit e tokës mblidhen për të të bërë ndonjë dobi, përveç asaj që ta ka caktuar Allahu, dhe anasjeltas, nuk do të të ndodhë asnjë e keqe, edhe nëse të gjithë njerëzit e tokës mblidhen për të të bërë ndonjë dëm, përveç asaj që ta ka caktuar Allahu. Kjo çështje është caktuar nga Allahu i Lartmadhëruar dhe është vendosur sipas asaj që përkon me urtësinë dhe diturinë e Tij, e nuk ka ndryshim të asaj që ka caktuar Ai.
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Profeti ﷺ ka thënë: “Gjithë umeti im do të hyjnë në Xhenet, përveç atyre që refuzojnë.” Të pranishmit pyetën: "O i Dërguar i Allahut, e kush refuzon?" Profeti ﷺ tha: "Kush më bindet mua, do të hyjë në Xhenet, e, kush më kundërshton, ka refuzuar."
Transmeton BuhariuProfeti ﷺ në këtë hadith na njofton se tërë umeti i tij do të hyjnë në Xhenet, përveç atyre që refuzojnë! Sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) pyetën: "Kush refuzon, o i Dërguari i Allahut?!" Kësisoj Profeti ﷺ iu përgjigj atyre: "Kushdo që i nënshtrohet, e pason dhe i bindet Profetit ﷺ, do të hyjë në Xhenet. Sa i përket atij që nuk iu bind dhe nuk iu nënshtrua fesë, në fakt ai refuzoi të hyjë në Xhenet me veprat e tij të këqija.
Ibën Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Ai që i përngjan një populli është prej tyre."
Transmetojnë Ebu Davudi dhe AhmediProfeti ﷺ në këtë hadith na tregon se kushdo që i përngjan një populli, qofshin jobesimtarë, gjynahmëdhenj, qofshin njerëz të drejtë - duke bërë diçka që është karakteristikë e tyre në aspektin e besimit, adhurimit ose zakonit, - atëherë ai është njëri prej tyre, sepse përngjasimi me ta në pamjen e jashtme shpie drejt përngjasimit me ta në anën e brendshme. Nuk ka dyshim se përngjasimi me një popull është rezultat i admirimit të tyre, gjë që mund të shkaktojë që ata të duhen, të madhërohen dhe të mbështetet njeriu tek ata. Allahu na ruajttë!
Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton: "E kam pyetur Profetin ﷺ: "Cili është gjynahu më i madh tek Allahu?" Më tha: “T'i bësh ortak Allahut, ndërsa Ai të ka krijuar.” Thashë: "Kjo me të vërtetë që është e madhe. E, pastaj cili?" Më tha: “Të vrasësh fëmijën tënd nga frika se do të ushqehet së bashku me ty.” E pyeta prapë: "Pastaj cili?" Më tha: “Të bësh kurvëri me gruan e fqinjit.”
Muttefek alejhiProfeti ﷺ është pyetur për gjynahun më të madh, e në atë rast ka thënë: Gjynahu më i madh është shirku i madh, që nënkupton: t'i bësh Allahut të ngjashëm ose të barabartë në uluhijen (adhurimin), rububijen (zotërimin) ose emrat dhe cilësitë e Tij. Këtë mëkat Allahu i Lartësuar e fal vetëm me pendim dhe nëse kryerësi i tij vdes në këtë gjendje, do të mbetet përgjithmonë në Zjarr. Pastaj vrasja që njeriu ia bën fëmijës së tij nga frika se do të hajë me të, pastaj vrasja e njeriut që është e ndaluar (të vritet), por mëkati i tij zmadhohet nëse i vrari është i afërm me vrasësin, gjithashtu mëkati i tij zmadhohet edhe kur qëllimi i vrasësit është frika se personi i vrarë do të marrë pjesë me të në rrizkun e Allahut. Pastaj, që një njeri të bëjë kurvëri me gruan e fqinjit të tij duke u përpjekur të mashtrojë gruan e fqinjit të tij, në mënyrë që të bëjë kurvëri me të dhe ajo t'i nënshtrohet atij. Kurvëria është e ndaluar, por mëkati i saj rritet nëse ajo me të cilën është kryer ky akt është gruaja e fqinjit, ndaj të cilit feja urdhëron bamirësi, mirësi dhe shoqërim të mirë.
Ebu Ejub Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Njeriut nuk i lejohet të mos i flasë vëllait të vet më shumë se tri net. Kur ata dy takohen, ky ia kthen shpinën, e edhe ai i tjetri ia kthen. Më i miri prej tyre është ai që fillon me selam."
Muttefek alejhiProfeti ﷺ ndaloi që muslimani ta bojkotojë vëllanë e tij musliman për më shumë se tri net, duke mos u përshëndetur me njëri-tjetrin e duke mos folur mes vete kur të takohen. Më i miri nga këta të dy që janë në grindje është ai që përpiqet ta largojë këtë bojkot dhe fillon të përshëndesë me selam. Ajo që nënkuptohet me bojkot (ar. hexhër) në hadith është bojkoti për gjëra personale, sepse bojkoti për hir të Allahut të Lartësuar, për hakun e Tij, bie fjala, bojkoti i mëkatarëve, bidatçinjve e shokëve të këqij nuk përcaktohet me kohë, por është e ndërlidhur me atë shkak, i cili, po u largua, atëherë largohet edhe bojkoti.