





























Hadeeth Cards
Da'wa cards that highlight great meanings from the noble prophetic hadiths in a simple style and attractive display that helps the Muslim to have a deeper understanding of his religion in an easy way
All
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Pozita më e ulët në Xhenet është kur i thuhet dikujt: “Kërko ç'të duash!” Dhe ai kërkon e kërkon, derisa t'i thuhet: “A përfundove së dëshiruari?” Ai thotë: “Po.” Atëherë i thuhet: “Ty të takon e gjithë ajo që ke dëshiruar dhe po aq.”
Transmeton MuslimiProfeti ﷺ në këtë hadith njoftoi se pozita më e ulët dhe niveli më i vogël për cilindo që hyn në Xhenet është se atij i thuhet: “Kërko ç'të duash!”, dhe ai do të kërkojë. Pastaj do t’i thuhet përsëri: “Kërko ç'të duash!”, derisa të mos mbetet asnjë dëshirë pa u përmendur. Më pas do t’i thuhet: “A përfundove së dëshiruari?” Ai do të përgjigjet: “Po.” Atëherë do t’i thuhet: “Ty të takon e gjithë ajo që ke dëshiruar dhe po aq.”
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Të Dërguarit të Allahut ﷺ i sollën pak mish dhe i ofruan një shpatull, të cilën ai e pëlqente. Ai e kafshoi një herë, pastaj tha: “Unë do të jem zotëria i njerëzve Ditën e Kiametit. Dhe, vallë, e dini përse?! Allahu do t'i tubojë të gjithë njerëzit, të parët dhe të fundit, në një vend, saqë zëri i thirrësit i arrin çdonjërit dhe syri mund t'i përfshijë të gjithë. Dielli do t'u afrohet shumë afër dhe njerëzit do të pushtohen nga ankthi dhe brengat, aq sa s'mund të durojnë dhe s'mund ta bartin. Kështu, do t'i thonë njëri-tjetrit: “A nuk po e shihni në çfarë gjendjeje keni ardhur?” Pse nuk gjeni dikë të ndërmjetësojë te Zoti juaj? Disa thonë: “Shkoni tek Ademi. Shkojnë tek ai dhe i thonë: “Ti je babai i njerëzimit, Allahu të ka krijuar me Dorën e Vet dhe të ka fryrë shpirt me Frymën e Tij, si dhe melekët i ka urdhëruar të bien në sexhde për ty, andaj ndërmjetëso te Zoti yt për ne! A nuk sheh në çfarë gjendjeje kemi ardhur?” Ai u thotë: “Sot, Zoti im është zemëruar shumë, si kurrë më parë, dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kësisoj. Ai ma pati ndaluar pemën, e unë i bëra mëkat. Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni te ndonjë tjetër! Shkoni te Nuhu!” Kur shkojnë te Nuhu, i thonë: “O Nuh, ti je i dërguari i parë te banorët e Tokës dhe Allahu të ka quajtur rob falënderues, ndërmjetëso te Zoti yt për ne! A nuk sheh çfarë na ka gjetur?” Ai u thotë: “Sot Zoti im i Lartësuar është zemëruar si kurrë më parë dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kësisoj. Lutjen time të pakthyeshme e kam shfrytëzuar për popullin tim. Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni te ndonjë tjetër! Shkoni tek Ibrahimi!” Kështu, shkojnë tek Ibrahimi dhe i thonë: “O Ibrahim, ti je i dërguari dhe miku i Allahut nga banorët e Tokës, ndërmjetëso për ne te Zoti yt! A nuk sheh në çfarë gjendjeje kemi ardhur?” Ai ua kthen: “Sot Zoti im është zemëruar si kurrë më parë, dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kësisoj. Unë pata gënjyer tri herë. Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni te ndonjë tjetër! Shkoni te Musai!” Kur shkojnë te Musai, i thonë: “O Musa, ti je i dërguari i Allahut dhe Ai të ka dalluar nga njerëzit e tjerë me shpallje dhe të ka folur drejtpërdrejt. Ndërmjetëso për ne te Zoti yt! A nuk sheh çfarë na ka gjetur?” Ai u thotë: “Sot Zoti im është zemëruar si kurrë më parë dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kësisoj. Ndërkohë, unë pata vrarë një njeri që nuk më lejohej. Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni te ndonjë tjetër! Shkoni tek Isai!” Me të shkuar tek Isai, i thonë: “Ti je i dërguari i Allahut dhe fjala e Tij që ia ka vendosur Merjemes, si dhe frymë prej Tij. U pate folur njerëzve qysh në djep, duke qenë foshnjë. Ndërmjetëso për ne! A nuk sheh çfarë na ka gjetur?” Isai u thotë: “Sot Zoti im është zemëruar si kurrë më parë dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kështu.” - Pa përmendur ndonjë mëkat, vazhdon: - “Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni te ndonjë tjetër! Shkoni te Muhamedi ﷺ!” Kështu, kur shkojnë te Muhamedi ﷺ, i thonë: “O Muhamed, ti je i Dërguari i Allahut dhe vula e pejgamberëve. Allahu t'i ka falur mëkatet e kaluara dhe të ardhshmet. Ndërmjetëso për ne te Zoti yt! A nuk sheh në çfarë gjendjeje kemi ardhur?” Prandaj, unë shkoj nën Arsh dhe bie në sexhde për Zotin tim të Lartmadhëruar. Allahu më frymëzon me falënderime dhe lëvdata ndaj Tij, që askujt më parë nuk ia ka shfaqur, pastaj Ai thotë: “O Muhamed, ngrije kokën dhe kërko, që të të jepet, ndërmjetëso, se do të të pranohet ndërmjetësimi!” Unë e ngre kokën dhe them: “Umeti im, o Zot! Umeti im, o Zot!” Më thuhet: “O Muhamed, gjithë pjesëtarët e umetit tënd, që nuk do të merren në llogari, futi nëpërmjet portës së djathtë të Xhenetit, njëherazi ata janë pjesëmarrës edhe nëpër portat e tjera me të tjerët!” Pastaj tha: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se mes dy skajeve të portave të Xhenetit ka hapësirë sa prej Mekës deri në Himjer, - ose ka thënë: sa prej Mekës deri në Busra.”
Muttefek alejhiProfeti ﷺ ishte me shokët e tij në një ftesë për ushqim. Iu ofrua shpatulla e deles, e cili ishte pjesa më e dashur e mishit për të. Ai e kafshoi lehtë me majat e dhëmbëve të tij, pastaj filloi t’ua tregojë këtë hadith dhe tha: "Unë do të jem zotëria i njerëzve Ditën e Kiametit", - kjo është që t'ua tregosh të tjerëve begatitë e Allahut të Lartësuar që do të t'i dhurojë. Pastaj do të thotë: "A e dini për çfarë bëhet fjalë? Kjo është se njerëzit do të mblidhen në Ditën e Kiametit në një tokë të gjerë, të sheshtë dhe të zgjatur në mënyrë të barabartë. Ata që janë aty do ta dëgjojnë zërin e thirrësit, i cili i arrin çdonjërit dhe shikimi mund t'i përfshijë të gjithë; asgjë prej tyre nuk do të fshihet, sepse toka do të jetë e rrafshët dhe askush nuk do të ketë ku të fshihet nga shikuesit. Shikimi do t’i përfshijë të gjithë. Pra, nëse njeriu flet, do ta dëgjojë edhe i fundit, dhe shikimi do t’i përfshijë të gjithë. Dielli do t’u afrohet krijesave në një distancë sa një milje, e njerëzit do të pushtohen nga ankthi dhe brengat, aq sa s'mund të durojnë dhe s'mund ta bartin, e atëherë do të kërkojnë shpëtim përmes ndërmjetësimit. Atëherë Allahu i Lartmadhëruar do t’i frymëzojë besimtarët që të shkojnë te Ademi, babai i njerëzimit. Ata do të shkojnë tek ai dhe do t’ia përmendin virtytet e tij, me shpresë që ai të ndërmjetësojë për ta tek Allahu i Lartmadhëruar. Do t’i thonë: “Ti je Ademi, babai i njerëzimit, Allahu të ka krijuar me Dorën e Vet, i ka urdhëruar melekët të bien në sexhde për ty, t'i mësoi emrat e çdo gjëje dhe të ka fryrë shpirt me Frymën e Tij." Por ai do të kërkojë ndjesë dhe do të thotë: “Sot Zoti im është zemëruar shumë, si kurrë më parë, dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kësisoj." E pastaj e përmend mëkatin e tij, se Allahu i Lartmadhëruar e ndaloi të hajë nga pema, por ai hëngri prej saj. Prandaj thotë: "Vetja ime është ajo që ka nevojë për ndërmjetësim. Shkoni te dikush tjetër, shkoni te Nuhu!” Atëherë ata do të shkojnë te Nuhu dhe do t’i thonë: “Ti je i dërguari i parë që Allahu e dërgoi tek banorët e tokës, dhe Allahu të quajti rob falënderues.” Por ai do të kërkojë ndjesë dhe do të thotë: “Sot Allahu i Lartmadhëruar është zemëruar si kurrë më parë dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kësisoj." Ai do të tregojë se e kishte pasur një lutje të pakthyeshme që e ka bërë kundër popullit vet. Prandaj thotë: "Vetja ime është ajo që ka nevojë për ndërmjetësim. Shkoni te dikush tjetër, shkoni te Ibrahimi.” Atëherë njerëzit do të shkojnë te Ibrahimi dhe do t’i thonë: “Ti je miku i Allahut nga banorët e Tokës, ndërmjetëso për ne te Zoti yt! A nuk sheh në çfarë gjendjeje kemi ardhur?” Ai do t’u thotë: “Sot Zoti im është zemëruar si kurrë më parë dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kësisoj. Unë pata gënjyer tri herë.” E këto tria janë kur ka thënë: "Unë jam i sëmurë", kur ka thënë, "Këtë e ka bërë më i madhi prej tyre", dhe kur i ka thënë gruas së tij Sarës: "Thuaji atij (tirani) se unë jam vëllai yt", që të shpëtojë nga e keqja e tij. E vërteta është se këto tri fjalë ishin vetëm nga mënyrat e të folurit me nënkuptim, tërthorazi, mirëpo, meqë forma e tyre i ngjante gënjeshtrës, ai u frikësua prej tyre dhe e pa veten të vogël për të ndërmjetësuar (në Ditën e Gjykimit), sepse, sa më shumë që robi e njeh Allahun dhe sa më afër të jetë në pozitë tek Ai, aq më shumë i frikësohet. Prandaj thotë: "Vetja ime është ajo që ka nevojë për ndërmjetësim. Shkoni te dikush tjetër, shkoni te Musai!” Pastaj do të shkojnë te Musai (alejhis selam!) dhe do t’i thonë: "O Musa, ti je i dërguari i Allahut dhe Ai të ka dalluar nga njerëzit e tjerë me shpallje dhe të ka folur drejtpërdrejt. Ndërmjetëso për ne te Zoti yt! A nuk sheh çfarë na ka gjetur?” Ai u thotë: “Sot Zoti im është zemëruar si kurrë më parë dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kësisoj. Ndërkohë, unë pata vrarë një njeri që nuk më lejohej." Prandaj thotë: "Vetja ime është ajo që ka nevojë për ndërmjetësim. Shkoni te dikush tjetër, shkoni te Isai, i biri i Merjemes!” Pastaj do të shkojnë te Isai dhe do t’i thonë: “O Isa! Ti je i dërguari i Allahut dhe fjala e Tij që ia ka vendosur Merjemes, si dhe frymë prej Tij. U pate folur njerëzve qysh në djep, duke qenë foshnjë. Ndërmjetëso për ne! A nuk sheh çfarë na ka gjetur?” Isai u thotë: “Sot Zoti im është zemëruar si kurrë më parë dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kështu.” - Pa përmendur ndonjë mëkat, vazhdon: "Vetja ime është ajo që ka nevojë për ndërmjetësim. Shkoni te dikush tjetër, shkoni te Muhamedi!” Pastaj do të shkojnë te Muhamedi ﷺ dhe do t’i thonë: "O Muhamed, ti je i Dërguari i Allahut dhe vula e pejgamberëve. Allahu t'i ka falur mëkatet e kaluara dhe të ardhshmet. Ndërmjetëso për ne te Zoti yt! A nuk sheh në çfarë gjendjeje kemi ardhur?” Prandaj, unë shkoj nën Arsh dhe bie në sexhde për Zotin tim të Lartmadhëruar. Allahu më frymëzon me falënderime dhe lëvdata ndaj Tij, që askujt më parë nuk ia ka shfaqur, pastaj Ai thotë: "O Muhamed, ngrije kokën dhe kërko, që të të jepet, ndërmjetëso, se do të të pranohet ndërmjetësimi!” Unë e ngre kokën dhe them: “Umeti im, o Zot! Umeti im, o Zot!” Kështu ndërmjetësimi i tij do të pranohet. Atij do t'i thuhet: "O Muhamed, gjithë pjesëtarët e umetit tënd, që nuk do të merren në llogari, futi nëpërmjet portës së djathtë të Xhenetit, njëherazi ata janë pjesëmarrës edhe nëpër portat e tjera me të tjerët!" Pastaj do të thotë: "Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im! Gjerësia midis dy anëve të portës së Xhenetit është sa largësia midis Mekës dhe Sanasë në Jemen, ose sa largësia midis Mekës dhe Busrasë në Sham; qytet në rajonin e Huranit."
Ebu Hurerja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "I Dërguari i Allahut ﷺ e ka mallkuar burrin që vesh veshjen e gruas dhe gruan që vesh veshjen e burrit."
رواه النسائي في الكبرى وابن ماجه بمعناه وأحمدProfeti ﷺ ka bërë lutje për përjashtimin dhe largimin nga mëshira e Allahut të çdo burri që i përngjan gruas në veshjet që janë të veçanta për to, qoftë në formë, në ngjyrë, në mënyrën e veshjes, në stilin e zbukurimit apo në ndonjë gjë tjetër të ngjashme. Ose që gruaja t'u përngjajë burrave në veshjet e tyre të veçanta, dhe kjo është një prej mëkateve të mëdha.
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Grupi i parë që do të hyjnë në Xhenet do të kenë pamjen e hënës së plotë, ndërsa të tjerët pas tyre sikurse ylli më i shndritshëm në qiell. Aty as urinojnë, as kryejnë nevoja fiziologjike, as pështyjnë e as u rrjedhin hundët. Krehërit i kanë të artë, djersët e tyre janë prej myshku, ndërsa materiali i parfumit të tyre është bima e Aloes. Gratë e tyre janë hyritë sybukura. Të gjithë do të kenë formën e njëjtë, formën e babait të tyre, Ademit, të gjatë gjashtëdhjetë kute.”
Muttefek alejhiProfeti ﷺ në këtë hadith ka treguar se grupi i parë i besimtarëve që do të hyjnë në Xhenet do të ketë fytyra që shkëlqejnë si Hëna e plotë në netët e saj më të ndritshme, e pasuar nga ata që do të ndriçojnë si yjet më të shkëlqyeshëm në qiell. Ata do të kenë cilësi të përsosura: nuk do të urinojnë, nuk do t'i kryejnë nevojat fiziologjike, nuk do të pështyjnë dhe nuk do t'u rrjedhin hundët. Krehrit i kanë prej ari, djersa e tyre do të ketë aromë myshku, dhe shportat e tyret do të lëshojnë aromat më të mira. Bashkëshortet e tyre do të jenë hyriet sybukura. Ata do të jenë të krijuar me një pamje të përbashkët. Në dukje e ngjashme me babanë e tyre, Ademin, në formë dhe gjatësi: gjashtëdhjetë kute të lartë.
Ubade ibn Samiti (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Në Xhenet ka njëqind shkallë; distanca mes çdo dy shkallëve është si distanca mes qiellit dhe Tokës. Më e larta prej tyre në gradë është Firdeusi, prej të cilit burojnë katër lumenjtë e Xhenetit, dhe mbi të është Arshi (Froni Hyjnor). Prandaj, kur t’i kërkoni Allahut, kërkoni prej Tij Firdeusin!”
Transmeton TirmidhiuProfeti ﷺ ka njoftuar se në Xhenetin e botës tjetër ka njëqind shkallë dhe grada. Distanca mes çdo dy shkallëve është si distanca mes qiellit dhe Tokës. Më e larta prej këtyre xheneteve është Firdeusi, prej të cilit burojnë katër lumenjtë e Xhenetit, dhe mbi Firdeus është Arshi (Froni Hyjnor). Prandaj, kur t’i kërkoni Allahut, kërkoni prej Tij Firdeusin, sepse ai është mbi të gjitha xhenetet e tjera.
Mugire ibn Shuëbe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Një grup nga umeti im do të vazhdojnë të triumfojnë, derisa t'u vijë caktimi i Allahut e t'i gjejë triumfues.”
Muttefek alejhiProfeti ﷺ njoftoi se do të mbetet gjithmonë një grup nga umeti i tij, që do të triumfojë mbi njerëzit, duke mbizotëruar mbi ata që i kundërshtojnë. Kjo do të vazhdojë, derisa të vijë urdhri i Allahut për marrjen e shpirtrave të tyre në fundin e kohës, para ardhjes së Kiametit.
Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur dikush i thotë vëllait të vet: “O qafir (jobesimtar), atëherë njëri prej tyre është meritor për atë epitet. Nëse është siç pretendon, e ka merituar atë, e, nëse jo, atëherë i kthehet vetë atij (thënësit).”
Muttefek alejhiProfeti ﷺ në këtë hadith paralajmëroi kundër asaj që një musliman t’i thotë vëllait të tij musliman: “O qafir (jobesimtar)!” Me shqiptimin e kësaj fjale të kufrit, njëri prej tyre e meriton atë: nëse i adresuari është ashtu siç u tha, atëherë ajo i bie atij; e nëse nuk është, atëherë akuza për kufër kthehet te ai që e ka thënë.
Imran ibn Husajni (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Më të mirët nga ju janë gjenerata ime, pastaj pasardhësit e tyre, pastaj pasardhësit e tyre.” Nuk di nëse Profeti ﷺ i ka përmendur dy apo tri gjenerata pas tij. Pastaj Profeti ﷺ shtoi: “Pas jush do të vijnë njerëz që tradhtojnë dhe nuk u zihet besë, që dëshmojnë, edhe pse nuk u kërkohet, zotohen, por nuk e përmbushin zotimin, si dhe mbipesha do të jetë e përhapur në mesin e tyre.”
Muttefek alejhiProfeti ﷺ në këtë hadith ka treguar se gjenerata më e mirë e njerëzve, që jetojnë në të njëjtën kohë, është gjenerata e të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe e sahabëve të tij. Pastaj vijnë ata që i pasuan ata prej besimtarëve, të cilët i takuan sahabët, por nuk e takuan të Dërguarin e Allahut. Pastaj vijnë ata që i pasuan ata, pasuesit e tabi’inëve. Sahabiu hezitoi në përmendjen, nëse edhe gjenerata e katërt përfshihej apo jo. Pastaj Profeti ﷺ tha: "Pas tyre do të vijnë njerëz që tradhtojnë dhe nuk u besohet, që dëshmojnë para se t’u kërkohet dëshmia, që bëjnë zotime, por nuk i përmbushin, dhe që teprojnë në ushqim e pije, derisa mbipesha të përhapet në mesin e tyre.
Ebu Thalebe Husheniu, Xhurthum ibën Nashir (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu ka caktuar për ju detyra, andaj mos i shpërfillni, ka vënë kufij, ndaj mos i tejkaloni, ka ndaluar disa gjëra, kështu që mos i shkelni, si dhe ka heshtur kundrejt disa gjërave në formë mëshire për ju, e jo për shkak të harresës, prandaj mos i gjurmoni.”
رواه الدارقطني في سننه وغيرهProfeti ﷺ në këtë hadith tregon se Allahu ka vendosur obligime dhe ka caktuar detyra, ndaj përmbajuni atyre dhe mos i neglizhoni duke i lënë pas dore apo duke u treguar të pakujdesshëm ndaj tyre. Ai ka vendosur për ju norma frenuese dhe parandaluese që t’ju parandalojnë e t’ju frenojnë nga ato gjëra që Ai nuk i pëlqen, ndaj mos shtoni mbi to më shumë sesa ka urdhëruar sheriati. Gjithashtu ka ndaluar disa gjëra, kështu që mos i bëni dhe mos iu afroni atyre. Ndërsa për gjërat e tjera, për të cilat ka heshtur dhe i ka lënë pa përmendur, këtë e ka bërë nga mëshira për robërit e Tij, ndaj ato mbeten të lejuara mbi bazën se gjërat janë të lejuara në origjinë, kështu që mos hulumtoni për to!