





























Hadeeth Cards
Da'wa cards that highlight great meanings from the noble prophetic hadiths in a simple style and attractive display that helps the Muslim to have a deeper understanding of his religion in an easy way
All
Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa një ditë rrinim ulur me Profetin ﷺ në xhami, hyri një burrë hipur në deve, i cili, pasi e uli dhe e lidhi devenë, pyeti: “Cili prej jush është Muhamedi?" Profeti ﷺ ishte në mesin tonë, i mbështetur në krah. I thamë: “Ja, ky burri i bardhë (fytyrëndritur), që po rri mbështetur." O nipi i Abdulmutalibit, - iu drejtua njeriu. - “Urdhëro”, - tha Profeti ﷺ. - Do të të pyes për diçka të madhe, kështu që do të jem i rëndë në pyetje, andaj mos m'u hidhëro. - “Pyet çfarë të duash”, - i tha Profeti ﷺ. Po të bëj be në Zotin tënd dhe në të atyre para teje, a me të vërtetë Allahu të ka dërguar te të gjithë njerëzit? Profeti ﷺ tha: “Po, betohem në Allahun se ashtu është!” - Po të bëj be në Allahun, a Allahu të ka urdhëruar t'i falësh pesë namaze gjatë ditës e natës? - “Po, betohem në Allahun se ashtu është.” - Po të pyes, duke të bërë be në Allahun, a Allahu të ka urdhëruar ta agjërosh këtë muaj të vitit? - pyeti ai. “Po, betohem në Allahun se ashtu është”, - iu përgjigj Profeti ﷺ. - Po të bëj be në Allahun, a Allahu të ka urdhëruar ta marrësh zekatin prej të pasurve tanë dhe t'ua ndash të varfërve tanë? - “Po, betohem në Allahun se ashtu është.” Burri në fjalë tha: “Besova në tërë atë në të cilën ti thërret. Jam dërguar nga populli im. Unë jam Dimam ibn Thalebe nga fisi i Sad ibn Bekrit."
Muttefek alejhiEnes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, teksa sahabët ishin ulur me Profetin ﷺ në xhami, një burrë i hipur në deve, pasi e uli dhe e lidhi devenë, i pyeti: "Cili prej jush është Muhamedi?" Profeti ﷺ ishte në mes të njerëzve dhe i thamë: "Ja, ky burri i bardhë (fytyrëndritur), që po rri mbështetur." O nipi i Abdulmutalibit, - iu drejtua ky burrë. Profeti ﷺ i tha: "Të dëgjova dhe pyet, se do të të përgjigjem." Ky burrë i tha Profetit ﷺ: "Do të të pyes për diçka të madhe, kështu që do të jem i rëndë në pyetje, andaj mos m'u hidhëro." Pra, mos u zemëro me mua dhe mos u ngushto! Profeti ﷺ i tha: "Pyet çfarë të duash." Ai tha: "Po të bëj be në Zotin tënd dhe në të atyre para teje, a me të vërtetë Allahu të ka dërguar te të gjithë njerëzit?" Profeti ﷺ tha: “Po, betohem në Allahun se ashtu është”, duke pohuar sinqeritetin e tij. Ky burrë i tha: "Po të bëj be në Allahun, a Allahu të ka urdhëruar t'i falësh pesë namaze gjatë ditës e natës?" Këto janë namazet obligative. Profeti ﷺ tha: “Po, betohem në Allahun se ashtu është.” Ai tha: "Po të pyes, duke të bërë be në Allahun, a Allahu të ka urdhëruar ta agjërosh këtë muaj të vitit?" Pra, muajin Ramazan. Profeti ﷺ: “Po, betohem në Allahun se ashtu është.” Ai tha: "Po të bëj be në Allahun, a Allahu të ka urdhëruar ta marrësh sadakanë prej të pasurve tanë dhe t'ua ndash të varfërve tanë?" Pra, zekatin. Profeti ﷺ tha: “Po, betohem në Allahun se ashtu është.” Dimami hyri në Islam dhe i tha Profetit ﷺ se do ta thërriste popullin e tij në Islam. Pastaj ai u prezantua se ishte Dimam ibn Thalebe nga fisi i Sad ibn Bekrit.
Zijad ibn Lebidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Profeti ﷺ përmendi diçka dhe tha: "Kjo do të jetë në kohën kur dija të zhduket." I thashë: "O i Dërguari i Allahut, si do të zhduket dituria kur ne lexojmë Kuran dhe ua mësojmë atë fëmijëve tanë, e ata ua mësojnë atë fëmijëve të tyre (e kështu me radhë) deri në Ditën e Kiametit?" Ai tha: "Mos të të pastë nëna, o Zijad! Mendoja se je njeriu më i ditur në Medinë. Vallë, hebrenjtë dhe të krishterë a nuk e lexojnë Tevratin dhe Ungjillin, por nuk veprojnë sipas ndonjë gjëje që gjendet aty?!"
Transmeton Ibn MaxheProfeti ﷺ ishte i ulur në mesin e shokëve të tij dhe tha: "Kjo është koha kur njerëzve u ngrihet dhe u hiqet dituria." Zijad ibn Lebid Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) u habit dhe e pyeti Profetin ﷺ: Si mund të ngrihet e të humbet dituria, kur ne kemi lexuar Kuran dhe e kemi mësuar përmendsh?! Pasha Allahun, ne do ta lexojmë dhe do t'ua mësojmë grave dhe fëmijëve tanë dhe fëmijët tanë do t'ua mësojnë fëmijëve të tyre. Profeti ﷺ i tha i habitur: "Të humbtë nëna, o Zijad! Unë të numëroja si një nga dijetarët e banorëve të Medinës!" Pastaj Profeti ﷺ ia sqaroi se humbja e diturisë nuk është duke e humbur (harruar) Kuranin, por humbja e diturisë do të thotë të humbet jetësimi i tij. Ja, këta janë Tevrati dhe Ungjilli te hebrenjtë dhe te të krishterët, mirëpo, nuk u ka sjellë dobi, as nuk kanë përfituar nga qëllimi (i zbritjes së) tyre, që është jetësimi i asaj që e mësuan.
Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: "Të Dërguarit të Allahut ﷺ i zbriti shpallja duke qenë në moshën dyzetvjeçare. Në Mekë qëndroi trembëdhjetë vjet, pastaj u urdhërua të bëjë hixhret për në Medinë, ku qëndroi dhjetë vjet dhe vdiq."
Muttefek alejhiIbn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se shpallja i zbriti të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe u bë pejgamber në moshën dyzetvjeçare. Ai pas shpalljes qëndroi në Mekë trembëdhjetë vjet dhe u urdhërua të bëjë hixhret në Medinë, ku qëndroi dhjetë vjet, e pastaj vdiq kur ishte gjashtëdhjetetrevjeçar.
Katadja (Allahu e pastë mëshiruar!) ka thënë: Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen se një njeri pyeti: - O i Dërguari i Allahut, si ndodh që jobesimtari të ringjallet (duke ecur) me fytyrën e tij? - “A nuk ka mundësi që, Ai që e ka bërë të ecë me dy këmbë në këtë botë, ta bëjë të ecë me fytyrë në Ditën e Kiametit?!” - tha Profeti ﷺ. Katadja shtoi: "Ashtu është, pasha krenarinë e Zotit tonë!"
Muttefek alejhiProfeti ﷺ është pyetur: "Si ndodh që jobesimtari të ringjallet (duke ecur) me fytyrën e tij?" Profeti ﷺ tha: "A nuk ka mundësi që, Ai që e ka bërë të ecë me dy këmbë në këtë botë, ta bëjë të ecë me fytyrë në Ditën e Kiametit?! Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë."
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ i tha xhaxhait të vet: “Thuaj: "La ilahe il-lallah, që të dëshmoj për ty në Ditën e Kiametit.” Ai ia ktheu: "Sikur kurejshët të mos ma llogarisnin për turp, do të ta gëzoja zemrën duke e shqiptuar atë, por ata do të thonë: "Frika ishte ajo që e shtyu të thoshte kështu." - Atëherë Allahu zbriti ajetin: “Vërtet, ti (Muhamed) nuk mund të udhëzosh kë të duash, por është Allahu Ai që udhëzon kë të dëshirojë. Ai i njeh më mirë ata që janë të udhëzuar.” (El Kasas, 56)
Transmeton MuslimiProfeti ﷺ i kërkoi xhaxhait të tij, Ebu Talibit, derisa ishte në grahmat e vdekjes, të thoshte: "La ilahe ilallah", që të ndërmjetësonte për të me këtë fjalë në Ditën e Kiametit dhe të dëshmonte se ishte bërë musliman. Ai nuk pranoi ta shqiptonte dëshminë (shehadetin) nga frika se kurejshët do ta shanin dhe do të thoshin: "Ai u bë musliman nga frika e vdekjes dhe për shkak të dobësisë!" Prandaj ai i tha Profetit ﷺ: "Po të mos ishte kjo, do të fusja gëzim në zemrën tënde duke e shqiptuar dëshminë (shehadetin) dhe do ta realizoja dëshirën tënde derisa të kënaqeshe!" Kështu, Allahu i Lartësuar e zbriti ajetin që tregon se Profeti ﷺ nuk e ka në dorë udhëzimin e suksesit, që dikush të bëhet musliman, por vetëm Allahu i Lartmadhëruar i jep sukses kujt të dojë, ndërsa Profeti ﷺ i udhëzon njerëzit me udhërrëfim, sqarim, përudhje dhe thirrje në rrugën e drejtë.
Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: Profeti ﷺ vuri re se mungonte Thabit ibn Kajsi, andaj pyeti për të. Një burrë i tha: "O i Dërguari i Allahut, unë do të të njoftoj për të." Kështu, shkoi tek ai, të cilin e gjeti kokulur në shtëpi, andaj e pyeti: "Çfarë ke?" Ai iu përgjigj: "Vetëm sherr." Pastaj tregoi se si ai e ngrinte zërin mbi atë të Profetit ﷺ, gjë për të cilën i janë shkatërruar veprat, prandaj është bërë banor i Zjarrit. Lajmëtari shkoi te Profeti ﷺ dhe i tregoi se ai paska thënë kështu e kështu. Pastaj (lajmëtari) u kthye sërish (te Thabiti) me një përgëzim të madh dhe i tha se Profeti ﷺ ka thënë: “Shko tek ai dhe thuaji se ai nuk është banor i Zjarrit, por banor i Xhenetit.”
Muttefek alejhiProfeti ﷺ vuri re se mungonte Thabit ibn Kajsi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), andaj pyeti për të. Një burrë i tha: "O i Dërguari i Allahut, unë do të të njoftoj për të dhe do të ta tregoj shkakun përse po mungon." Kështu, shkoi tek ai dhe e gjeti të pikëlluar, kokulur në shtëpinë e tij, prandaj e pyeti: "Çfarë ke?" Thabiti i tha se çfarë sherri e kishte goditur, sepse ai e ngrinte zërin mbi zërin e Profetit ﷺ, e Allahu kishte kërcënuar këdo që e bënte këtë se do t'i shkatërrohej vepra dhe do të ishte nga banorët e Zjarrit. Kështu, personi në fjalë u kthye te Profeti ﷺ dhe i tregoi për këtë, e Profeti ﷺ e urdhëroi që të kthehej te Thabiti dhe t'i jepte lajmin e mirë se ai nuk është prej banorëve të Xhehenemit, por prej banorëve të Xhenetit. Kjo, se zëri i tij ishte i lartë natyrshëm dhe për shkak se ai ishte ligjëruesi i të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe ligjëruesi i ensarëve.
Abdullah ibën Amër ibën Asi (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) tregon se e ka dëgjuar Profetin ﷺ të thotë: “Kur të dëgjoni myezinin, përsëritni fjalët që i thotë e pastaj dërgoni salavate për mua, sepse ai që dërgon salavate për mua një herë, Allahu do të dërgojë salavate (do ta lavërojë) për të dhjetë herë. Pastaj kërkoni prej Allahut për mua vesilen, e cila është pozitë në Xhenet që i takon vetëm një robi të Allahut. Kam shpresë të jem unë ai. Ai që kërkon vesilen për mua, do ta gëzojë ndërmjetësimin tim.”
Transmeton MuslimiProfeti ﷺ në këtë hadith porosit këdo që e dëgjon myezinin teksa bën thirrje për namaz, që të përsëritë pas tij dhe të thotë njëjtë siç thotë ai, përveç te pjesët: "Hajje ales-salah" dhe: "Hajje alel-felah", thotë: "La havle ue la kuvvete il-la bil-lah!" Pastaj, pas përfundimit të ezanit, dërgon salavate për Profetin ﷺ, sepse ai që dërgon salavate për të një herë, Allahu do të dërgojë salavate (do ta lavdërojë) për të dhjetë herë. Kuptimi i salavatit të Allahut ndaj robit të Tij është: lavdërimi që Ai ia bën robit para melekëve. Pastaj u urdhërua që t'ia kërkojë Allahut vesilen për Profetin ﷺ, e cila është një pozitë në Xhenet dhe është më e larta e tij, dhe ajo pozitë është vetëm për një rob nga të gjithë robërit e Allahut të Lartësuar, e unë shpresoj se do të jem ai. Profeti ﷺ e tha këtë vetëm nga modestia, sepse nëse ajo pozitë e lartë i takon vetëm një personi, atëherë ai person mund të jetë vetëm Profeti ﷺ, meqë ai është krijesa më e mirë. Pastaj Profeti ﷺ sqaroi se, kushdo që lutet për Profetin ﷺ që Allahu t'ia japë vesilen, do ta arrijë ndërmjetësimin e tij ﷺ.
Othman ibën Ebi el-Asi (Allahu qoftë i kënaqur me të) shkoi te Profeti ﷺ dhe i tha: "O i Dërguari i Allahut! Shejtani po ndërhyn mes meje e namazit dhe leximit tim nga Kurani, si dhe po m'i ngatërron." Profeti ﷺ i tha: "Ai është një shejtan që quhet Hinzeb. Kur ta vëresh praninë e tij, kërko mbrojtjen e Allahut kundrejt tij dhe pështyj tri herë lehtë nga ana jote e majtë!" Më pas Othmani tha: "Ashtu veprova dhe Allahu ma largoi atë."
Transmeton MuslimiOthman ibën Ebi el-Asi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) shkoi te Profeti ﷺ dhe i tha: "O i Dërguar i Allahut, shejtani ka ndërhyrë mes meje e namazit tim dhe më ka penguar që të jem i përkushtuar, si dhe ma ngatërroi leximin e (Kuranit) dhe më bëri të dyshoja." Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ i tha: "Ky është një shejtan, që quhet Hinzeb, andaj, nëse e vëren praninë e tij, kërko strehim tek Allahu që të të ruajë prej tij, si dhe fryj tri herë në anën tënde të majtë me pak pështymë." Othmani tha: "Veprova siç më urdhëroi Profeti ﷺ dhe Allahu ma largoi atë."
Abas ibën Abdulmutalibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë: “Ai që është i kënaqur me Allahun për Zot, Islamin për fe dhe Muhamedin ﷺ për të Dërguar e ka shijuar ëmbëlsinë e imanit.”
Transmeton MuslimiProfeti ﷺ në këtë hadith na tregon se besimtari i sinqertë në besimin e tij, zemra e të cilit është e qetësuar me këtë besim, do të ndiejë dhe do të përjetojë në zemrën e tij kënaqësi shpirtërore, gjerësi, lumturi, ëmbëlsi dhe shije imanore për shkak të afërsisë me Allahun e Lartësuar, për sa kohë që është i kënaqur me këto tri gjëra: Së pari: të jetë i kënaqur me Allahun për Zot, që do të thotë që zemra e tij të jetë e qetësuar dhe e kënaqur ndaj gjithçkaje që vjen nga Allahu, sipas zotërueshmërisë së Tij hyjnore në ndarjen e furnizimeve dhe gjendjeve. Kësisoj, ai nuk duhet të ndiejë asnjë kundërshtim në zemrën e tij ndaj caktimeve të Allahut dhe nuk duhet të kërkojë ndonjë Zot tjetër përveç Tij. Së dyti: të jetë i kënaqur me Islamin për fe, që do të thotë që zemra e tij të jetë e qetësuar ndaj detyrimeve dhe obligimeve që përmban Islami dhe të mos kërkojë rrugë tjetër përveç rrugës së Islamit. Së treti: të jetë i kënaqur me Muhamedin ﷺ për të Dërguar, që do të thotë që zemra e tij të jetë e qetësuar dhe e gëzuar me gjithçka që ka sjellë ai, pa asnjë hezitim e dyshim, dhe të ndjekë vetëm atë që është në përputhje me udhëzimin e tij ﷺ.