





























Hadeeth Cards
Da'wa cards that highlight great meanings from the noble prophetic hadiths in a simple style and attractive display that helps the Muslim to have a deeper understanding of his religion in an easy way
All
Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Atij që mban qen, në përjashtim të qenit të stërvitur (për gjueti), ose qenit për ruajtjen e bagëtisë, për çdo ditë i pakësohen nga dy kiratë nga shpërblimi i veprave të tij.” Salimi tha: “Ebu Hurejra thoshte: 'Ose qenit për ruajtjen e të mbjellave.', -e solli këtë transmetim), sepse Ebu Hurejra kishte të mbjella.”
Muttefek alejhiProfeti ﷺ në këtë hadith paralajmëroi kundër mbajtjes së qenve, përveç për qëllime gjuetie ose për ruajtjen e bagëtive dhe të të mbjellave. Kush mban qen për arsye të tjera, atij i pakësohet çdo ditë shpërblimi i veprave nga dy kiratë, një masë e veçantë shpërblimi e njohur te Allahu i Lartësuar.
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ hyri në xhami. Pas tij hyri një burrë dhe u fal, pastaj erdhi dhe i dha selam Profetit ﷺ. I Dërguari i Allahut ﷺ ia ktheu selamin dhe i tha: “Kthehu dhe falu, se nuk je falur.” Personi u kthye dhe u fal si më parë, pastaj erdhi te Profeti ﷺ dhe i dha selam. Ai i tha: “Ve alejke selam”. Pastaj vazhdoi: “Kthehu dhe falu, se nuk je falur.” Kështu veproi tri herë. Në fund, personi në fjalë tha: “Betohem në Atë që të ka dërguar me të vërtetën se nuk di më mirë! Prandaj, më mëso!” Profeti ﷺ i tha: “Kur të ngrihesh për t'u falur, merre tekbrin (thuaj: “Allahu Ekber"), pastaj lexo ndonjë pjesë të Kuranit që e di. Pastaj bjer në ruku dhe qëndro derisa të qetësohesh në ruku, pastaj ngrihu derisa të drejtohesh në këmbë. Pastaj, bjer në sexhde derisa të qetësohesh në sexhde, pastaj ngrihu dhe qëndro derisa të qetësohesh ulur. Kështu vepro gjatë gjithë namazit.”
Muttefek alejhiProfeti ﷺ hyri në xhami, e pas tij hyri një njeri dhe i fali dy rekate shpejt, pa qetësi gjatë qëndrimit të tij në këmbë, ruku dhe sexhde. Profeti ﷺ e vëzhgonte teksa falej. Pastaj ky njeri shkoi tek Profeti ﷺ, i cili ishte ulur në një cep të xhamisë, dhe e përshëndeti. Profeti ﷺ i ktheu përshëndetjen dhe i tha: “Kthehu dhe përsërite namazin, sepse nuk je falur.” Ai u kthye dhe u falë përsëri shpejt si më parë, pastaj shkoi dhe i dha selam Profetin ﷺ, i cili i tha: “Kthehu dhe falu, sepse nuk je falur.” Kjo u përsërit tri herë. Pastaj njeriu tha: “Pasha Atë, të Cilin të ka dërguar me të vërtetën, nuk mund të bëj më mirë se kaq, andaj më mëso!” Atëherë Profeti ﷺ i tha: "Kur të ngrihesh për namaz, thuaje tekbirin fillestar, pastaj lexoje suren Fatiha dhe diçka tjetër, që Allahu ta lehtëson. Pastaj, bjer në ruku derisa të ndihesh i qetë, duke vendosur pëllëmbët mbi gjunjë dhe shpinën drejt. Pas kësaj, ngrihu dhe qëndro drejt derisa eshtrat të kthehen në nyjet e tyre. Më pas bjer në sexhde derisa të ndihesh i qetë, duke vendosur ballin, hundën, pëllëmbët, gjunjët dhe majat e gishtave të këmbëve mbi tokë. Pastaj ngrihu dhe qëndro i qetë ulur midis dy sexhdeve. Kështu vepro gjatë gjithë namazit.
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur muslimani, - ose ka thënë: 'besimtari', - merr abdes dhe e lan fytyrën, prej fytyrës së tij së bashku me ujin, - ose ka thënë: 'me pikën e fundit të ujit', - del çdo mëkat, të cilin e ka bërë përmes syve; kur i lan duart, prej duarve të tij së bashku me ujin, - ose ka thënë: 'me pikën e fundit të ujit', - del çdo mëkat që e ka bërë me duar; dhe, kur i lan këmbët, prej këmbëve të tij së bashku me ujin, - ose ka thënë: 'me pikën e fundit të ujit', - del çdo mëkat të cilin e ka bërë me këmbë, derisa, në fund, mbetet i pastër prej mëkateve.”
Transmeton MuslimiProfeti ﷺ në këtë hadith ka sqaruar se, kur muslimani apo besimtari merr abdes dhe lan fytyrën gjatë abdesit, nga fytyra e tij dalin të gjitha gjynahet e vogla që i ka shikuar me sytë e tij, së bashku me ujin që rrjedh pas larjes, ose me pikën e fundit të ujit. Kur lan duart, nga duart e tij dalin të gjitha gjynahet e vogla që ka bërë me duart e tij, së bashku me ujin ose me pikën e fundit të ujit. Kur lan këmbët, dalin të gjitha gjynahet e vogla që i ka bërë me këmbët e tij, së bashku me ujin ose me pikën e fundit të ujit, derisa në përfundim të abdesit del i pastër nga gjynahet e vogla.
Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ na e mësonte namazin e istihares për çdo gjë, siç na mësonte ndonjë sure kuranore. Ai thoshte: “Kur dikush nga ju vendos të bëjë ndonjë punë me rëndësi, le t'i falë dy rekate vullnetare, pastaj le të thotë: "Allahumme inni estehiruke bi ilmike ve estakdiruke bi kudretike, ve eseluke min fadlikel adhim. Fe inneke takdiru ve la akdiru, ve talemu ve la alemu, ve Ente al-lamul gujub. Allahumme, in kunte talemu enne hadhel emre hajrun li fi dini ve meashi ve akibeti emri, ose ka thënë: fi a'xhili emri ve axhilihi, fakdurhu li. Ve in kunte talemu enne hadhel emre sherrun li fi dini ve meashi ve akibeti emri, - ose ka thënë: fi a'xhili emri ve axhilihi, - fasrifhu anni vesrifni anhu vakdur lije elhajre hajthu kane thumme erdini bihi - 'O Allah, me diturinë Tënde kërkoj mbarësi, me fuqinë Tënde kërkoj mundësi! Kërkoj të mirat e Tua të shumta, sepse Ti ke mundësi, kurse unë nuk kam. Ti di, kurse unë nuk di. Ti i di fshehtësitë. O Allah, nëse e di se kjo punë është e mirë për mua, për fenë, jetën dhe të ardhmen time, - ose ka thënë: të tashmen dhe të ardhmen, - ma mundëso këtë. E, nëse e di se kjo punë është e keqe për mua, për fenë, jetën dhe të ardhmen time, - ose ka thënë: të tashmen dhe të ardhmen, - largoje atë prej meje dhe mua prej saj, ma cakto të mirën, kudo që të jetë, pastaj më bëj të kënaqur me të!” Dhe gjatë lutjes e parashtron kërkesën e tij.”
Transmeton BuhariuKur muslimani dëshiron të ndërmarrë një çështje, për të cilën nuk e di se cili është veprimi i drejtë, atëherë për të është e ligjshme të falë namazin e istihares. Profeti ﷺ ua mësonte këtë namaz shokëve të tij (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), ashtu siç ua mësonte ndonjë sure kuranore. Ai fal dy rekate, jo nga namazi farz (obligativ), pastaj i lutet Allahut duke thënë: “O Allah, me diturinë Tënde kërkoj mbarësi”, duke kërkuar sukses në zgjedhjen e asaj që është më e mirë nga dy mundësitë; dituri kjo, e cila është e gjerë dhe përfshin gjithçka. “...me fuqinë Tënde kërkoj mundësi!”, që të më bësh të aftë, pasi unë nuk kam as fuqi e as forcë përveçse përmes Teje, sepse asgjë nuk i shpëton pushtetit Tënd. “Kërkoj të mirat e Tua të shumta", dhe nga bamirësia Jote e gjerë, sepse mirësia është dhuratë prej Teje dhe askush nuk ka të drejtë mbi asnjë mirësi nga Ti. "...sepse Ti ke mundësi, kurse unë nuk kam." Ti ke mundësi për çdo gjë, ndërsa unë jam i dobët dhe i pafuqishëm dhe nuk jam i aftë për asgjë, përveçse me ndihmën Tënde. "Ti di, kurse unë nuk di." Ti di me dijen Tënde gjithëpërfshirëse, që përfshin të fshehtën dhe të dukshmen, të mirën dhe të keqen, ndërsa unë nuk di asgjë përveçse me udhëzimin dhe suksesin Tënd. "Ti i di fshehtësitë." Sepse Ti posedon dijen e plotë dhe pushtetin vendimtar, ndërsa askush nuk ka dije apo fuqi përveç asaj që Ti cakton ose dhuron. Pastaj muslimani i lutet Zotit të tij dhe e emërton nevojën që ka, duke thënë: "O Allah, unë çështjen time ta kam dorëzuar Ty. Nëse e di se kjo punë është e mirë për mua, në dijen Tënde, "dhe e parashtron nevojën e tij..." -, si për shembull: blerjen e kësaj shtëpie, blerjen e kësaj makine, martesën me këtë grua, apo diçka tjetër... Nëse në dijen Tënde paraprake, kjo çështje është e mirë për mua, për fenë time, e cila është mbrojtja e çështjes sime, dhe për jetën time në këtë botë, dhe për të ardhmen time; pra, për atë se si do të përfundojë kjo punë dhe çfarë do të rrjedhë prej saj. Ose ka thënë: "...të tashmen dhe të ardhmen...", në këtë botë dhe në tjetrën; "...ma mundëso këtë, dhe realizoje për mua. "...ma lehtëso, e më pas më beko në të dhe m'i shto të mirat! E, nëse e di, o Allah, se kjo punë, për të cilën kërkova udhëzim, është e keqe për mua, për fenë, jetën dhe të ardhmen time," - ose ka thënë:"...të tashmen dhe të ardhmen, - largoje atë prej meje dhe mua prej saj, ma cakto të mirën, kudo që të jetë, pastaj më bëj të kënaqur me të. Me të gjitha caktimet e Tua, qofshin ato që i dua apo që i urrej."
Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “O Ebu Seid! Ai që është i kënaqur me Allahun për Zot, me Islamin për fe dhe me Muhamedin për Pejgamber, gjithsesi do të futet në Xhenet.”- Përsëritma edhe një herë, o i Dërguari i Allahut, - tha Ebu Seidi, i mahnitur nga kjo. Pejgamberi ﷺ ia përsëriti, dhe shtoi: “Edhe diçka, me të cilën besimtari ngrihet njëqind shkallë në Xhenet, ndërsa distanca mes çdo dy shkallëve është sa largësia mes Tokës dhe Qiellit.” - E cila është ajo gjë, o i Dërguari i Allahut!? - “Xhihadi në rrugën e Allahut, xhihadi në rrugën e Allahut”, - ia ktheu Pejgamberi ﷺ.”
Transmeton MuslimiProfeti ﷺ e njoftoi Ebu Seid Hudriun (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se kush beson në Allahun dhe është i kënaqur me Të për Zot, Hyj, Sundues, Zotërues dhe Urdhërues të tij; e pranon Islamin si fe, duke iu nënshtruar dhe dorëzuar plotësisht të gjitha urdhrave dhe ndalesave të tij; dhe e pranon Muhamedin ﷺ si Profet në gjithçka me të cilën është dërguar dhe që ka përcjellë: atij i është bërë i sigurt Xheneti. Kjo e mahniti Ebu Seidin (Allahu qoftë i kënaqur me të!), prandaj tha: “Ma përsërit, o i Dërguari i Allahut.” Kësisoj Profeti ﷺ ia përsëriti. Pastaj Profeti ﷺ i tha: “Kam edhe një veçori tjetër, me të cilën Allahu e ngre robin njëqind shkallë në Xhenet; distanca mes çdo dy shkallëve është sa mes qiellit dhe Tokës.” Ebu Seidi tha: “Cila është ajo, o i Dërguari i Allahut?” Ai ﷺ tha: “Xhihadi (lufta) në rrugën e Allahut, xhihadi në rrugën e Allahut.”
Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar Profetin ﷺ duke thënë: “Atij që agjëron një ditë në rrugën e Allahut, Allahu do t'ia largojë fytyrën nga Zjarri për shtatëdhjetë vjet (vjeshta).”
Muttefek alejhiProfeti ﷺ në këtë hadith ka sqaruar se kush agjëron një ditë në xhihad (dhe është thënë: në xhihad apo edhe jashtë tij) sinqerisht për hir të Allahut, duke kërkuar shpërblim dhe mirësi prej Tij, atëherë, me mirësinë e Tij, Allahu do ta largojë atë nga Zjarri për shtatëdhjetë vjet.
Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Njerëzit do të jenë në mirësi për sa kohë që e shpejtojnë iftarin.”
Muttefek alejhiProfeti, ﷺ në këtë hadith, ka treguar se njerëzit do të jenë në mirësi për sa kohë që e shpejtojnë iftarin, pasi ta kenë vërtetuar perëndimin e diellit, duke iu përmbajtur kështu Sunetit dhe pa e kaluar kufirin e tij.
Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ sadakanë e fitrit e jepnim për çdo të vogël e të madh, të lirë e rob, një saë ushqim, djathë, elb, hurma ose stafidhe. Kështu, ne vazhduam ta japim, derisa erdhi Muavi ibn Ebu Sufjani (nga Shami) për haxh a umre, e në atë rast u foli njerëzve nga minberi dhe, në mes tjerash, atyre u tha: “Mendoj se dy palë grushte nga ky grurë i Shamit është i barabartë me një saë hurme.” Pastaj njerëzit vepruan sipas kësaj (fjale të Muaviut). Ebu Seidi tha: “Ndërsa unë do të vazhdoj ta jap ashtu siç e jepja për jetë, sa të jem gjallë.”
Muttefek alejhiMuslimanët në kohën e Profetit ﷺ dhe në kohën e kalifëve të drejtë e jepnin sadakanë e fitrit për secilin person, të vogël apo të madh, nga një saë ushqim. Ushqimi i tyre ishte elbi, stafidhet, djathi dhe hurmat. Një saë është i barabartë me katër mudd, dhe një mudd është sa dy grushta të një personi mesatar. Kur Muaviu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) erdhi në Medinë si kalif dhe gruri i Shamit u bë i bollshëm, mbajti një fjalim dhe tha: "Unë shoh se dy mudd grurë nga Shami (gjysmë saë) janë të barabarta me një saë hurma." Pastaj njerëzit vepruan sipas kësaj (fjale të Muaviut). Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tha: “Ndërsa unë do të vazhdoj ta jap ashtu siç e jepja në kohën e Profetit ﷺ për jetë sa të jem gjallë.”
Zejd ibn Thabiti (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Hëngrëm syfyr me Profetin ﷺ, pastaj ai u ngrit për namaz.” (Enesi tha) Unë e pyeta: "Sa ka qenë koha mes ezanit dhe syfyrit? - Sa t'i lexoje pesëdhjetë ajete, - tha Zejdi.”
Muttefek alejhiDisa prej shokëve të Profetit ﷺ hëngrën syfyr së bashku me të, pastaj ai u ngrit për namazin e sabahut. Enesi i tha Zejd ibn Thabitit (Allahu qoftë i kënaqur me ta!): "Sa ishte koha ndërmjet ezanit dhe përfundimit të syfyrit?" Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tha: "Sa koha për të lexuar pesëdhjetë ajete mesatare - as të gjata e as të shkurtra, dhe as me shpejtësi e as ngadalë."