





























Hadeeth Cards
Da'wa cards that highlight great meanings from the noble prophetic hadiths in a simple style and attractive display that helps the Muslim to have a deeper understanding of his religion in an easy way
All
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Besimtari nuk duhet ta urrejë (gruan e vet) besimtaren; nëse nuk i pëlqen një sjellje e saj, i pëlqen një sjellje tjetër.”
Transmeton MuslimiProfeti ﷺ ia ka ndaluar burrit që të urrejë gruan aq shumë, saqë kjo të shpjerë në padrejtësi, braktisje dhe neglizhim ndaj saj. Njeriu natyrshëm është i mangët, andaj, nëse urren një sjellje të keqe (të gruas së vet), do të gjejë tek ajo një sjellje tjetër të mirë, kështu që ai duhet të kënaqet me të mirat që i përshtaten dhe të jetë i durueshëm me të keqen që nuk i pëlqen, gjë që e bën atë të jetë i durueshëm dhe të mos e urrejë atë aq shumë, saqë kjo të shpjerë drejt ndarjes prej saj.
Ebu Ejub Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur të shkoni për të kryer nevojën fiziologjike, as mos u drejtoni nga kibla, as mos ia ktheni shpinën, por kthehuni nga lindja ose nga perëndimi!” Më pas Ebu Ejubi vijon: "Kur erdhëm në Sham, nevojtoret i gjetëm të ndërtuara në drejtim të kiblës. Kështu që ndërronim drejtimin dhe (pasi dilnim), i kërkonim falje Allahut të Lartësuar."
Muttefek alejhiProfeti ﷺ ia ndaloi njeriut që dëshiron të kryejë nevojat fiziologjike, qoftë nevojën e madhe apo të vogël, të kthehet me fytyrë nga kibla dhe drejtimi i Qabesë, si dhe ia ndaloi të kthejë shpinën andej. Por, ai duhet të kthehet në drejtim të lindjes ose perëndimit, nëse kibla në vendin e tij është njësoj si kibla e banorëve të Medinës. Pastaj Ebu Ejubi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregoi se, kur vajtën në Sham, gjetën nevojtore të ndërtuara për nevojat fiziologjike, në drejtim të Qabesë, andaj muslimanët i mënjanonin trupat e tyre nga kibla, e megjithatë i kërkonin falje Allahut duke thënë: "Estagfirullah (kur dilnin prej nevojtoreve).
Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Mos e mbani me dorën e djathtë organin gjenital gjatë urinimit e as mos u pastroni nga jashtëqitja me dorën e djathtë, si dhe mos merrni frymë në enë (gjatë pirjes në të)!”
Muttefek alejhiProfeti ﷺ në këtë hadith ka shpjeguar disa norma të edukatës; ai e ka ndaluar që njeriu ta mbajë organin gjenital me dorën e djathtë gjatë urinimit dhe e ka ndaluar të hiqet papastërtia nga organi gjenital ose anusi me dorën e djathtë, sepse e djathta përdoret për gjëra fisnike dhe të pastra. Gjithashtu e ka ndaluar që njeriu të marrë frymë në enën në të cilën është duke pirë.
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: "Si nuk ka frikë ai që e ngre kokën para imamit se Allahu mund t'ia shndërrojë kokën në kokë gomari?” - Ose ka thënë: “... se Allahu mund t'ia shndërrojë pamjen në pamje gomari?”
Muttefek alejhiProfeti ﷺ në këtë hadith sqaron kërcënimin e rëndë ndaj atij që ngre kokën para imamit (gjatë namazit), se Allahu mund t'ia shndërrojë kokën në kokë gomari ose mund t'ia shndërrojë pamjen në pamje gomari.
Ibën Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) tregon se, kur i Dërguari i Allahut ﷺ e fillonte namazin, i ngrinte duart paralelisht me supet. Pastaj, kur bënte tekbirin për ruku dhe kur ngrihej nga rukuja, sërish i ngrinte duart, sikurse në fillim, dhe thoshte: "Semiallahu limen hamideh, rabbena ue lekel hamd." Ndërkaq, në sexhde, nuk i ngrinte duart.
Muttefek alejhiProfeti ﷺ gjatë namazit i ngrinte duart paralelisht me supet në tri pozicione të ndryshme të namazit. Supi është pjesa ku bashkohen kockat e shpatullës me të krahut. Pozicioni i parë: kur fillonte namazin, në tekbirin fillestar. Pozicioni i dytë: kur bënte tekbirin për të shkuar në ruku. Pozicioni i tretë: kur ngrihej nga rukuja dhe thoshte: "Semiallahu limen hamideh, rabbena ue lekel hamd." Ai nuk i ngrinte duart kur shkonte në sexhde e as kur ngrihej prej saj.
Ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "I Dërguari i Allahut ﷺ ma mësoi teshehudin ashtu siç më mësonte ndonjë sure Kurani, ndërkohë shuplaka ime ishte mes dy shuplakave të tij: "Et-tehijjatu lil-lahi ues-salavatu uet-tajjibatu. Es-selamu alejke ejjuhen-nebijju ue rahmetullahi ue berakatuhu. Es-selamu alejna ue ala ibadil-lahis-salihin. Eshhedu en la ilahe il-lallah ue eshhedu enne Muhammeden abduhu ue resuluhu (Përshëndetjet, lutjet dhe mirësitë i takojnë Allahut. Paqja, mëshira dhe bekimi qofshin mbi ty, o Pejgamber! Paqja qoftë mbi ne dhe mbi të gjithë robërit e mirë! Dëshmoj se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij)." Në një tekst të Buhariut dhe të Muslimit, qëndron: “Vetë Allahu quhet Es-Selam. Kur dikush të ulet në namaz, le të thotë: "Et-tehijjatu lil-lahi ues-salavatu uet-tajjibatu. Es-selamu alejke ejjuhen-nebijju ue rahmetullahi ue berakatuhu. Es-selamu alejna ue ala ibadil-lahis-salihin." Duke e thënë këtë, përfshini çdo rob të mirë të Allahut, në qiell dhe në Tokë. (Pastaj le të vazhdojë:) "Eshhedu en la ilahe il-lallah ue eshhedu enne Muhammeden abduhu ue resuluhu" Pastaj le të lavdërojë Allahun me çfarë të dojë.”
Muttefek alejhiProfeti ﷺ ia mësoi Ibën Mesudit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) teshehudin që thuhet gjatë namazit, ku e futi dorën e Ibën Mesudit në mes të duarve të tij, që t'ia ngjallte kureshtjen atij për këtë gjë, njëjtë siç i mësonte ndonjë sure nga Kurani, gjë që tregon se Profeti ﷺ i kushtonte rëndësi teshehudit, qoftë shprehimisht, qoftë kuptimisht. Ai tha: "Et-tehijatu lil-lahi": Këto janë të gjitha fjalët ose veprat që tregojnë madhërim dhe që të gjitha janë meritore për Allahun e Lartmadhëruar. "Salavat": Është për qëllim namazi që e dimë të gjithë, qoftë obligativ, qoftë vullnetar, pra, të jetë për hir të Allahut të Lartësuar. "Tajjibat": Ato janë fjalët, veprat dhe përshkrimet e mira që tregojnë përsosuri. Krejt këto i meriton Allahu i Lartësuar. "Es-selamu alejke ejjuhen-nebijju ve rahmetullahi ve berakatuhu": Lutje për Profetin që të jetë i shpëtuar nga çdo mundim e dëm dhe t'i shtohen të mirat me bollëk. "Es-selamu alejna ve ala ibadil-Lahis-salihin": Kjo është lutje pë namazliun dhe për çdo rob të mirë, në qiell dhe në Tokë. "Eshhedu en la ilahe il-lallah": Domethënë: e pranoj me vendosmëri se nuk ka Zot të vërtetë që meriton të adhurohet pos Allahut. "ve eshhedu enne Muhammeden abduhu ve resuluhu": Domethënë: e pranoj se Muhamedi ﷺ është rob dhe i Dërguari i fundit. Pastaj Profeti ﷺ e inkurajoi namazliun të përzgjedhë çfarëdo lutjeje që dëshiron.
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: Profeti ﷺ lutej dhe thoshte: “Allahume, inni eudhu bike min adhabil-kabri, ve min adhabin-nari, ve min fitnetil-mahja vel-memat, ve min fitnetil-mesihid-dexhal!" - "(O Allah, kërkoj mbrojtjen Tënde nga dënimi në varr dhe dënimi në Zjarr! Kërkoj mbrojtjen Tënde nga sprova e jetës dhe e vdekjes, si dhe nga sprova e mesihut Dexhall!" Në transmetimin e Muslimit qëndron: “Pasi të përfundoni leximin e teshehudit të fundit, kërkoni mbrojtjen e Allahut nga katër gjëra: 1. Nga dënimi i Xhehenemit. 2. Nga dënimi në varr. 3. Nga sprova e jetës dhe vdekjes, dhe 4. Nga e keqja e sprovës së Dexhallit.”
Muttefek alejhiPara se Profeti ﷺ ta përfundonte teshehudin e fundit, i kërkonte mbrojtje Allahut që ta ruante nga katër gjëra dhe na urdhëroi edhe ne të bëjmë një gjë të tillë. E para: Nga dënimi i varrit. E dyta: Nga dënimi i Zjarrit, që është në Ditën e Kiametit. E treta: Nga sprova e kësaj jete, si: epshet e ndaluara të kësaj bote dhe nga dyshimet lajthitëse, si dhe nga sprova e vdekjes, respektivisht çasti para vdekjes, që të mos largohemi nga Islami ose Suneti ose nga sprova e varrit, siç është pyetja e dy melekëve. E katërta: Sprova e mesihut Dexhall, që do të shfaqet në fund të kohës, para Kiametit, me të cilin Allahu do t'i sprovojë robërit e Tij. Profeti ﷺ e veçoi me përmendje, për shkak të fitnes (sprovës) dhe devijimit të madh që ua bën të tjerëve.
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur i Dërguari i Allahut ﷺ merrte tekbirin fillestar për namaz, heshtte pak para se të fillonte leximin e Kuranit. Unë e pyeta: "O i Dërguari i Allahut, kurban t'u bëfshin im atë e ime më, gjatë kohës që ti hesht, mes tekbirit fillestar dhe leximit të Kuranit, çfarë thua?" Ai m'u përgjigj: “Them: "Allahume baid bejni ue bejne hatajaje kema ba'adte bejnel meshriki uel magribi. Allahume nekkini min hatajaje kema junekkath-theubul ebjedu mined-denesi. Allahume igsilni min hatajaje bith-thelxhi uelmai uel beradi (O Allah, më largo prej mëkateve të mia, siç e ke larguar lindjen prej perëndimit! O Allah, më pastro nga mëkatet e mia, siç pastrohet rrobja e bardhë nga ndyrësirat! O Allah, më laj nga mëkatet e mia me borë, me ujë dhe breshër)!”
Muttefek alejhiKur Profeti ﷺ merrte tekbirin fillestar për namaz, heshtte pak para se të fillonte këndimin e Fatihasë; ai e fillonte namazin e tij me disa lutje. Prej lutjeve që transmetohen është dhe kjo: "Allahume baid bejni ue bejne hatajaje kema ba'adte bejnel meshriki uel magribi. Allahume nekkini min hatajaje kema junekkath-theubul ebjedu mined-denesi. Allahume igsilni min hatajaje bith-thelxhi uelmai uel beradi!" I lutej Allahut të Lartmadhëruar ta largojë nga mëkatet që të mos bjerë në to, aq larg sa të mos takohet fare me to, ashtu siç nuk ka kurrë takim mes lindjes dhe perëndimit. E, nëse ndodh që të bjerë në to, ta pastrojë dhe t'ia heqë ato ashtu siç hiqet papastërtia nga rrobja e bardhë, si dhe ta pastrojë nga mëkatet dhe ta freskojë prej zjarrit dhe nxehtësisë së tyre me këta pastrues të freskët: ujë, borë dhe breshër.
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Nëse qeni pi në enën e ndokujt, le ta lajë atë shtatë herë.” Te Muslimi qëndron: "... herën e parë me dhe.”
Muttefek alejhiProfeti ﷺ në këtë hadith urdhëroi që ena të lahet shtatë herë nëse qeni e fut gjuhën në të, e para prej tyre të shoqërohet me dhe, kështu që uji të vijë pas tij, e kështu pastërtia të jetë e plotë nga papastëria dhe dëmi.