





























Hadeeth Cards
Da'wa cards that highlight great meanings from the noble prophetic hadiths in a simple style and attractive display that helps the Muslim to have a deeper understanding of his religion in an easy way
All
Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Para se Profeti ﷺ të hynte në nevojtore, thoshte: “Allahume inni eudhu bike minel-hubuthi vel-habaith! - O Allah, kërkoj mbrojtjen Tënde kundrejt të këqijve dhe të këqijave (shejtanëve meshkuj dhe femra)!"
Muttefek alejhiSa herë që Profeti ﷺ dëshironte të hynte në vendin ku do të kryente nevojën, qoftë duke urinuar, qoftë duke bërë jashtëqitjen, kërkonte mbrojtje dhe strehim tek Allahu që ta ruante nga e keqja e shejtanëve meshkuj dhe femra. Shprehja e përmendur në hadith: "hubuth dhe habaith" është komentuar po ashtu si “e keqja dhe e ndyra”.
Sehël ibn Hunejfi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton nga Profeti ﷺ se ka thënë: “Atë që ia kërkon Allahut me sinqeritet gradën e shehidit, Allahu ka për ta ngritur në pozitën e shehidëve, edhe nëse vdes në shtratin e tij.”
Transmeton MuslimiProfeti ﷺ në këtë hadith tregon se atij që e kërkon shehidllëkun e që të vritet në rrugën e Allahut dhe është i sinqertë dhe i çiltër në qëllimin e tij për hir të Allahut të Lartmadhëruar, Ai do t'ia japë gradat e shehidëve për shkak të qëllimit të tij të sinqertë, edhe nëse ai vdes në shtrat në një gjendje tjetër përveç xhihadit.
Mejmuneja, nëna e besimtarëve, (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Ia vura ujin Profetit ﷺ për t'u larë dhe e mbulova me një rrobë (që të mos shihej). I hodhi ujë duarve dhe i lau. Pastaj, me dorën e djathtë, i hodhi ujë dorës së majtë dhe me të lau organin gjenital. Pastaj e përplasi dorën në dhe dhe e fshiu e e lau. Pastaj shpëlau gojën dhe hundën, lau fytyrën dhe duart deri te bërrylat, derdhi ujë mbi kokë dhe mbi tërë trupin. E, në fund, u zhvendos nga vendi ku ndodhej dhe lau këmbët. Pasi e përfundoi, i ofrova një rrobë (si peshqir), por nuk e deshi dhe u largua duke i shkundur duart."
Muttefek alejhiNëna e besimtarëve, Mejmuneja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ka treguar për mënyrën se si Profeti ﷺ lahej nga xhunubllëku dhe se ajo vendosi për të ujë që ai të lahej tërësisht dhe e mbuloi atë me një perde, e sakaq Profeti ﷺ veproi si më poshtë: Së pari: Profeti ﷺ hodhi ujë në duart e tij dhe i lau ato para se t'i fuste në enë. Së dyti: ai me dorën e djathtë, hodhi ujë në dorën e majtë dhe e lau organin gjenital, duke e pastruar atë nga çdo gjurmë papastërtie. Së treti: ai e preku tokën me dorë, e fshiu, pastaj e lau për të hequr papastërtinë prej saj. Së katërti: e shpëlau gojën duke futur ujë në të dhe duke e lëvizur e rrotulluar, pastaj duke e hedhur ujin jashtë, si dhe e shpëlau hundën duke futur ujë në të, pastaj duke e nxjerrë për ta pastruar. Së pesti: lau fytyrën dhe duart deri te bërrylat. Së gjashti: hodhi ujë në kokë. Së shtati: hodhi ujë mbi pjesën tjetër të trupit. Së teti: lëvizi nga vendi i tij (në të cilin po lahej) dhe i lau këmbët në një vend tjetër, ku nuk i kishte larë më parë. Pastaj ajo i solli një leckë, për t'u tharë me të, por ai nuk e mori dhe filloi ta fshinte e ta shkundte ujin nga trupi me dorën e vet.
Aishja, nëna e besimtarëve (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ka thënë: "Kur i Dërguari i Allahut ﷺ pastrohej nga xhunubllëku, së pari fillonte me duart, pastaj merrte abdes sikurse për namaz, pastaj lahej: shpupurishte flokët me dorë (që të depërtonte uji) e, kur sigurohej se kishte larë lëkurën e kokës, i hidhte ujë kokës tri herë dhe, më pas, e pastronte tërë trupin me ujë." Vazhdon e thotë: "Unë dhe i Dërguari i Allahut ﷺ laheshim nga një enë e përbashkët, nga e cila merrnim ujë së bashku."
Transmeton BuhariuKur Profeti ﷺ dëshironte të pastrohej nga xhunubllëku, fillimisht i lante duart, pastaj merrte abdes ashtu siç merrte abdes për namaz, e më pas derdhte ujë mbi trupin e tij, e pastaj i shpupurishte flokët me duar (që të depërtonte uji). Kur mendonte se uji kishte arritur deri te rrënjët e flokëve dhe e kishte larë lëkurën (e kokës), derdhte ujë tri herë mbi kokën e tij dhe më pas lante pjesën tjetër të trupit. Aishja vazhdon e thotë: "Unë dhe i Dërguari i Allahut ﷺ laheshim nga një enë e përbashkët, nga e cila merrnim ujë së bashku."
Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: Shpesh më rridhte lëngu paraspermal, por, për shkak të raportit me të bijën e tij, kisha turp ta pyesja Profetin ﷺ për këtë, andaj e porosita Mikdad ibn Esvedin ta pyeste. Profeti ﷺ iu përgjigj: “Vetëm e pastron organin gjenital dhe merr abdes.” Në transmetimin e Buhariut qëndron: "Merr abdes dhe pastroje organin gjenital!"
Muttefek alejhiAli ibën Ebi Talibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se kishte shpesh lëng paraspermal (ar. el-medhju), i cili është një ujë i bardhë, i hollë e ngjitës, që del nga organi gjatë epshit ose para marrëdhënieve intime. Ai nuk dinte çfarë të bënte kur i dilte ky lëng, kështu që kishte turp të pyeste Profetin ﷺ, sepse ishte burrë i Fatimes, bijës së Profetit ﷺ. Andaj kërkoi nga Mikdad ibn Esvedi ta pyeste Profetin ﷺ për këtë gjë. Në këtë rast Profeti ﷺ i tha ta pastronte organin dhe të merrte abdes.
Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: "E pyeta Profetin ﷺ: - Cila vepër është më e dashur tek Allahu? - “Namazi që falet në kohën e vet”, - u përgjigj ai. - Pastaj cila? - “Mirësjellja me prindërit”, - tha Profeti ﷺ. - Pastaj cila? - “Lufta në rrugën e Allahut.” Kështu më tha Profeti ﷺ. Sikur ta pyesja më shumë, do të më tregonte edhe më tej."
Muttefek alejhiProfeti ﷺ qe pyetur: "Cila është vepra më e dashur tek Allahu?" Në këtë rast tha: "Namazi i obliguar në kohën e vet, të cilën e ka përcaktuar feja. Pastaj mirësjellja me prindërit, bërja mirë atyre, përmbushja e të drejtave të tyre dhe braktisja e mosrespektimit ndaj tyre. E pastaj xhihadi në rrugë të Allahut për ta lartësuar Fjalën e Allahut të Lartmadhërishëm, për ta mbrojtur fenë islame dhe muslimanët e për t'i shpërfaqur simbolet e tij të dukshme, përmes (dhënies së) shpirtit dhe pasurisë. Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Më tregoi për këto vepra, saqë, po t'i thosha: "Pastaj cila?", do të më tregonte më tej.
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Çdo mëngjes që gdhihen njerëzit, zbresin dy melekë. Njëri lutet: “O Allah, kompensoja atij që jep!-, kurse tjetri lutet,- “O Allah, shkaktoji humbje koprracit!”
Muttefek alejhiProfeti ﷺ në këtë hadith njoftoi se çdo ditë që lind dielli, zbresin dy melekë duke u lutur. Njëri prej tyre lutet duke thënë: ''O Allah, kompensoja atij që shpenzon në bindje ndaj Teje, për familjen, mysafirët dhe për veprat vullnetare, si dhe shpërbleje me më të mirën atë që ka shpenzuar dhe bekoje atë." Dhe tjetri lutet: "O Allah, jepi koprracit shkatërrim dhe shkatërroja pasurinë që ua ka ndaluar atyre që e meritojnë."
Sehël ibën Sa'di (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se, ditën e Hajberit i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Nesër do t'ia jap këtë flamur një njeriu, nëpërmjet të cilit Allahu do të mundësojë çlirimin: njeri që e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij ﷺ dhe që Allahu dhe i Dërguari i Tij ﷺ e duan atë.” Kështu, të gjithë njerëzit e kaluan natën duke hamendësuar se kujt do t'i jepej (flamuri). E, kur u gdhinë njerëzit, shkuan tek i Dërguari i Allahut ﷺ, duke shpresuar secili që flamuri t'i jepej atij. Profeti ﷺ pyeti: “Ku është Ali ibën Ebi Talibi?” Dikush tha: "Ka shqetësime me sytë, o i Dërguari i Allahut." - "Thirreni këtu", - tha Profeti ﷺ. Kur erdhi, i Dërguari i Allahut ﷺ vendosi pështymën e tij në sytë e tij, u lut për të dhe ai u shërua, sikur të mos kishte pasur asgjë. Pastaj Profeti ﷺ ia dha flamurin dhe Aliu tha: "O i Dërguari i Allahut, t'i luftoj derisa të bëhen sikurse ne (muslimanë)?" Profeti ﷺ i tha: “Mos vepro asgjë pa shkuar në mesin e tyre e t'i ftosh në Islam dhe t'u tregosh çfarë obligimi kanë kundrejt Allahut në Islam. Pasha Allahun, që Allahu të udhëzojë një njeri nëpërmjet teje është më e mirë për ty sesa të posedosh devetë e kuqe (lloji më i çmueshëm i deveve).”
Muttefek alejhiProfeti ﷺ në këtë hadith u tregoi sahabëve se muslimanët nesër do të fitojnë kundër hebrenjve të Hajberit, nëpërmjet një burri që do t'ia jepte personalisht flamurin, flamur këtë të cilin ushtria e përdorte si simbol të saj. Një prej virtyteve të këtij burri ishte se e donte Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe se Allahu dhe i Dërguari i Tij e donin atë gjithashtu. Kështu, sahabët e kaluan natën duke diskutuar dhe duke biseduar se kujt do t'i jepej flamuri e duke qenë të interesuar për këtë nder të madh. Kur erdhi mëngjesi, shkuan te Profeti ﷺ, që të gjithë, duke shpresuar të merrnin këtë nder. Profeti ﷺ pyeti për Ali ibën Ebi Talibin (Allahu qoftë i kënaqur me të!). I thanë: "Ai është i sëmurë, po ankohet prej syve." Profeti ﷺ i dërgoi tek ai dhe ata ia sollën. Ai vendosi në sytë e Aliut diçka nga pështyma e tij fisnike dhe u lut për të dhe ai u shërua nga sëmundja që kishte, sikur të mos kishte asnjë sëmundje, sakaq ia dha flamurin dhe e urdhëroi që të vazhdonte me butësi derisa t'i afrohej fortesës së armikut dhe t'i ftonte në Islam, e, nëse pranonin, atëherë t'i tregonte çfarë obligimesh kanë. Pastaj Profeti ﷺ ia sqaroi Aliut vlerën e thirrjes tek Allahu dhe, nëse thirrësi bëhet shkak për udhëzimin e një njeriu, kjo është më mirë për të sesa të posedojë deve të kuqe, - të cilat ishin pasuria më e çmuar e arabëve, - t'i mbajë në pronësinë e vet ose t'i japë lëmoshë.
Zejd ibn Halidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që pajis një luftëtar në rrugën e Allahut, tashmë ka marrë pjesë në luftë. Ai që kujdeset që familja e një luftëtari në rrugën e Allahut të jetë mirë, tashmë ka marrë pjesë në luftë.”
Muttefek alejhiProfeti ﷺ në këtë hadith tregoi se kushdo që ia përgatit luftëtarit në rrugë të Allahut mjetet e udhëtimit të tij dhe çfarëdo që i nevojitet, e që nuk bën pa to, si: armët, automjetin, ushqimin, shpenzimet dhe gjëra të tjera, atëherë ai është në të njëjtin pozicion si luftëtari dhe merr shpërblimin e luftëtarëve. Ai që e merr përsipër çështjen e luftëtarit dhe e zëvendëson atë duke u kujdesur për familjen e tij në kohën kur ai lufton dhe këtë e bën në formë të mirë, atëherë ai është në të njëjtin pozicion si luftëtari.